Recep Şakar
17 Shkurt 2022•Përditësim: 17 Shkurt 2022
Ministrja e Brendshme e Australisë, Karen Andrews, njoftoi se do të vendosin në listën e organizatave terroriste Lëvizjen e Rezistencës Islamike (Hamas) e cila drejton Gazën në Palestinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim në faqen e internetit të ministrisë së brendshme, Andrews ka njoftuar se Australia ka përditësuar listën e saj të organizatave terroriste dhe se bashkë me Hamasin në këtë listë do të përfshihen edhe Hayat Tahrir al-Sham në Siri, Hurras al-Din dhe grupin National Socialist Order me qendër në SHBA.
Qeveria e Australisë është fokusuar të mbrojë australianët nga terrorizmi dhe ekstremizmat që përmbajnë dhunë, theksoi Andrews, duke shtuar se "pikëpamjet e Hamasit dhe grupeve të dhunshme ekstremiste të listuara sot janë thellësisht shqetësuese dhe nuk ka vend për ideologjinë e tyre të urryer në Australi".
Australia më parë ka shpallur si organizatë terroriste Brigadat Ezzeddin al-Qassam, krahun ushtarak të Hamasit, ndërsa me vendimin e ri ajo ka ndaluar edhe krahun politik të Hamasit.
Sipas ligjeve të Australisë, ata që shpallen fajtorë për akte terroriste dënohen me burg deri në 25 vite.
- Hamasi dënon "përfshirjen e krahut të saj politik në listën e terrorizmit" të Australisë
Hamasi ka reaguar ndaj vendimit për të përfshirë krahun e tij politik në listën e organizatave terroriste nga Australia.
Zëdhënësi i Hamasit, Hazim Qasim në një deklaratë për AA tha se vendimi i Australisë do të thotë "të marrësh anën e pushtuesit Izraelit, i cili synon gjithçka që ekziston në tokën palestineze".
Duke theksuar se Hamasi është një "lëvizje nacionalçlirimtare" që punon për Palestinën, Qasim tha: "Terrori i vërtetë janë praktikat e pushtuesit Izraelit kundër të drejtave të civilëve palestinezë në Kuds, Bregun Perëndimor dhe në Gaza".
Ai i bëri thirrje qeverisë australiane që të anulojë menjëherë këtë vendim.
- Izraeli mirëpret vendimin e Australisë
“Unë e mirëpres vendimin e Australisë për të përcaktuar Hamasin në tërësi (dhe krahun e tij politik) si organizatë terroriste", shkroi kryeministri izraelit, Naftali Bennett në llogarinë e tij në Twitter.
Bennett falënderoi kryeministrin australian, Scott Morrison për hapin e lartpërmendur të Australisë.