Sayed Khodaberdi Sadat
29 Nëntor 2016•Përditësim: 29 Nëntor 2016
FARYAB (AA) – Hapet linja hekurudhore që do ta lidhë Afganistanin me Evropën përmes Turkmenistanit, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Realizohet udhëtimi i parë me tren në hekurudhën Afganistan-Turkmenistan. Në ceremoninë e organizuar në pikën kufitare Akina në provincën Faryab në veri të vendit, morën pjesë presidenti i Afganistanit, Eshref Gani, presidenti i Turkmenistanit, Gurbangulu Berdimuhamedov, ministra, deputetë dhe diplomatë të vendeve të huaja.
Në fjalimin e inaugurimit, Gani tha se Berdimuhamedov ka ardhur në Afganistan me një dhuratë të madhe. Duke theksuar se linja hekurudhore do ta ndërtojë tregtinë, dialogun dhe miqësinë mes dy shteteve, Gani u shpreh se miqësia mes Afganistanit dhe Turkmenistanit do të vazhdojë duke u rritur edhe më tej.
Sipas tij, me hapjen e hekurudhës do të bien edhe çmimet e produkteve të importuara, siç janë nafta dhe gazi natyror. Gani tha se Turkmenistani është rruga e vetme që lidh Afganistanin me Evropën dhe Azinë, duke shtuar se mes dy vendeve ekziston edhe bashkëpunim në fushën e tregtisë.
“Sot është një ditë historike. Turkmenistanit i kemi borxh falënderimi për kryesimin në ndërtimin e korridorit hekurudhor i cili do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve tona. Rroftë miqësia Turkmenistan-Afganistan!”, tha Gani.

“Linja hekurudhore ka rëndësi ndërkontinentale”
Nga ana tjetër, Berdimuhamedov theksoi se do të vazhdojnë ndihmat e Turkmenistanit për Afganistanit, siç janë për shkollat, spitalet dhe faltoret.
Duke vënë në pah se linja hekurudhore ka rëndësi ndërkontinentale, Berdimuhamedov tha se hapja e saj do ta rrisë komunikacionin rajonal dhe në këtë mënyrë do të lidhet Azia me Evropën.
Duke folur edhe për punimet për Gazsjellësin Turkmenistan-Afganistan-Pakistan-Indi, Berdimuhamedov tha se me realizimin e këtij projekti do të mundësohet kontribut për ekonominë e Afganistanit.
Berdimuhamedov tha se do të rritet sasia e rrymës elektrike e dërguar në Afganistan dhe bëri të ditur se Turkmenistani do të marrë nga Afganistani gurë mermeri.
Megjithëse në Afganistan që nga shekulli XIX është filluar me zhvillimin e disa projekteve hekurudhore, ky vend ka vetëm një hekurudhë përmes Uzbekistanit. Afganistani importon shumicën e produkteve, ndërkohë që eksporton qilima të thurur me dorë, fruta të freskëta dhe produkte të tekstilit.
Ndërtimi i hekurudhës prej 88 kilometrave mes stacioneve Atamurad të Turkmenistanit dhe Akina të Afganistanit, është realizuar nga ana e Turkmenistanit. Linja hekurudhore do ta lidhë Afganistanin me Evropën përmes Turkmenistanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë.