Abdullah Aşıran
27 Shtator 2019•Përditësim: 28 Shtator 2019
Këshilli Shtetëror i Holandës e shpalli të pavlefshme lejen e posaçme për pirjen e duhanit në seksione të veçanta të mbyllura nëpër restorante dhe kafene, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate, Këshilli Shtetëror, gjykatë e lartë në Holandë, e ka cilësuar të vlefshëm vendimin e mëhershëm të Gjykatës së Hagës për ndalimin e pirjes së duhanit, duke njoftuar se nga dita e sotme leja e posaçme për konsumimin e duhanit në seksione të veçanta të mbyllura nëpër restorante bëhet e pavlefshme.
Në vendimin e gjykatës thuhet se arsyeja për marrjen e një mase të këtillë është ekspozimi i mundshëm i punonjësve të restoranteve dhe kafeneve dhe jopërdoruesve të duhanit pa dëshirë gjatë hyrjes në këto seksione. Siç theksohet më tej, situatat e këtilla janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ndryshe, në vitin 2008 Holanda ndaloi përdorimin e duhanit nëpër lokale, por miratoi një leje të posaçme që lejonte pirjen e tij në seksione të veçanta të mbyllura.
Fondacioni për Ajër të Pastër, i cili ka kundërshtuar pirjen e duhanit, kishte hapur padi kundër qeverisë për dhënien e lejes në fjalë, duke thënë se kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e OBSH-së.
Edhe pse Gjykata e Hagës kishte gjykuar në favor të fondacionit, vendimi ishte transferuar për shqyrtim në Këshillin Shtetëror.