Sinan Doğan
28 Janar 2022•Përditësim: 28 Janar 2022
Xiomara Castro, fituese e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 28 nëntor në Honduras, ka bërë betimin për të filluar zyrtarisht detyrën, transmeton Anadolu Agency (AA).
E zgjedhur si presidentja e parë femër e shtetit në vendin e Amerikës Qendrore, Castro u betua para gati 29.000 simpatizantëve në Stadiumin Kombëtar në kryeqytetin Tegucigalpa, duke pranuar brezin presidencial.
Në fjalën e saj, Castro premtoi energji elektrike falas për 1 milion familje të varfra.
“Unë premtoj t'i jem besnike Republikës, t’i bindem dhe të zbatoj ligjin”, tha ajo.
Duke dhënë mesazhin e vendosmërisë në luftën kundër varfërisë, emigracionit, trafikut të drogës dhe korrupsionit, Castro tha se do të përpiqen të avancojnë arsimin, shëndetin, sigurinë dhe punësimin.
- “Po thyejmë zinxhirët dhe traditat”
Ajo theksoi se është hera e parë që një grua po merr rolin e presidentes së shtetit që nga themelimi i Hondurasit.
“Kanë kaluar 200 vjet që nga shpallja e pavarësisë sonë. Ne po thyejmë zinxhirët, po thyejmë traditat. Ky fakt historik mund të rrjedhë vetëm nga opinioni i shumicës së njerëzve. Falënderojmë popullin e Hondurasit për këtë nder dhe besim”, deklaroi Castro.
Ndryshe, Castro është gruaja e ish-presidentit Manuel Zelaya. Ajo i dha fund qeverisjes 12-vjeçare të partisë së krahut të djathtë, Partisë Kombëtare të Hondurasit, duke fituar 51,12 për qind të votave.