Lokman İlhan
11 Prill 2019•Përditësim: 12 Prill 2019
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pretendoi se në vendin e tij kriminelët vijnë nga El Salvadori, Guatemala, Hondurasi dhe Kolumbia dhe se trafikimi i drogës nga Kolumbia është rritur me 50 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin kolumbian, mësohet se Trump gjatë një fjalimi në një aktivitet në Texas ka kritikuar sërish Kolumbinë të cilën e kishte vendosur në objektiv edhe disa ditë më parë. Krahas këtij vendi ai ka pretenduar se në SHBA anëtarët e bandave vijnë nga El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi.
"Kriminelët na i dërgojnë ne për shkak se nuk i duan bandat në vendin e tyre. Sepse ata mendojnë që populli i SHBA-së janë budallenj dhe do t'i pranojnë ato", tha Trump.
Trump ka sjellë në rendin e ditës sërish presidentin kolumbian, Ivan Duque, për të cilin disa ditë më parë ishte shprehur se "Është një njeri i mirë, por nuk bën asgjë në luftën kundër drogës".
Në fjalën e tij Trump ka mbrojtur idenë se trafikimi i drogës është rritur me 50 për qind që kur Duque ka filluar detyrën në gusht e deri tani.
Ndërsa presidenti Duque gjatë një takimi me forcat e sigurisë në qytetin Cartagena të Kolumbisë pavarësisht se nuk ka përmendur emrin e Trumpit ai ka folur në lidhje me këtë çështje. "Ne llogarinë tonë për këtë (prodhimin dhe trafikimin e drogës) ia japim popullit tonë. Sigurisht që zhvillojmë edhe punime të përbashkëta me vende që dëshirojnë të punojnë me ne", është shprehur Duque.
Kolumbia po bën pjesën e saj, tha Duque i cili ka theksuar se në këtë çështje duhet të luftojnë edhe vendet me popullatë që konsumojnë sasi të mëdha droge.