Fatjon Cuka,Malik Hasa
31 Mars 2016•Përditësim: 01 Prill 2016
TIRANË (AA) – Në kuadër të mbështetjes sociale ndaj fëmijëve jetimë Shoqata Alternativa e së Arhdmes (Alsar) në bashkëpunim me Fondacionin IHH në Turqi dhe Bashkinë Bağcılar në Stamboll ka organizuar një program festiv për fëmijët jetimë të Shqipërisë të ardhur nga i gjithë vendi, ku janë shpërndarë edhe ndihma, që janë kontribut i Fondacionit i IHH, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë program merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Bağcılarit në Turqi, Lokman Çağırcı, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Prof. Dr. Birol Çetin, drejtues të lartë të Fondacionit IHH në Turqi, kryetari i Shoqatës Alsar, Mehdi Gurra, zyrtarë për marrëdhëniet me jashtë pranë Ministrisë së Arsimit të Turqisë, prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, zëvendës ministrja e Arsimit të Shqpërisë, Nora Malaj, të ftuar dhe fëmijë jetimë bashkë me familjarët e tyre nga e gjithë Shqipëria.
Programi festiv filloi më recitimin e dy himneve kombëtare, atij të Shqipërisë dhe Turqisë, më pas vijoi me leximin e një pjese nga Kur’an-i Kerim dhe më pas me fjalimet përshëndetëse të të ftuarve.
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë program kryetari i Shoqatës Alsar, Mehdi Gurra, tha se shoqata që ai drejton momentalisht mbështet rreth 3 mijë fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria duke mos bërë asnjë ndarje racore apo fetare.
"Kontributi jonë ndaj jetimëve të Shqipërisë nuk është thjeshtë ndihma ushqimore, por ndaj tyre ne kemi ofruar edhe ndihmë sociale dhe veçanërisht arsimore. Duke ofruar bursa të ndryshme ne ndihmojmë në arsimimin e tyre" tha Gurra. Ai theksoi se ata do tu qëndrojnë afër këtyre fëmijëve sidomos kur bëhet fjalë për arsimimin e tyre në Turqi.
Në përfundim të fjalës së tij Gurra nuk la pa falënderuar edhe institucionet turke në Shqipëri për ndihmën e dhënë në këtë drejtim.
Ndërsa prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, në fjalën e tij përshëndetëse duke nënvizuar faktin se Shqipëria ka një shoqëri e cila ka shumë nevojë për ndihmë, në vijim të fjalës së tij tha se Shoqëria Civile në këtë vend është një faktor i rëndësishëm për të treguar që këto jetimë nuk janë vetëm.
‘’Falënderoj shoqatën Alsar për dhënien e kontributit në kuadër të ndihmës për këta jetimë. Njëkohësisht dua të përshëndes për ndihmën e dhënë për jetimët e Shqipërisë si dhe kontributin e marrëdhënieve vëllazërore mes Turqisë dhe Shqipërisë, fondacionin IHH në Turqi’’ tha Vorpsi.
Osman Demirgül, drejtori për studentët e huaj pranë Dikasterit të Arsimit Fetarë në Ministrinë e Arsimit të Turqisë tha për AA se ndodhet në emër të Ministrisë së Arsimit të Turqisë në "takimin me jetimët e Shqipërisë" dhe se janë shumë të kënaqur që marrin pjesë në një program ku bëhet fjalë për ndihmat që ofron Turqia për këta fëmijë.
"Në themelin e civilizimit tonë qëndron shprehja 'nëse qesh jetimi qesh e gjithë bota'. Në këtë kuadër ne si Ministri e Arsimit të Turqisë bashkë me disa organizata të shoqërisë civile kemi lançuar një projekt i cili titullohet ‘çdo klasë shkolle ka një vëlla jetim’. Momentalisht nxënësit tanë në kuadër të këtij projekti po kontribuojnë për jetimët në shumë vende të botës. Dje mësova që në bazë të këtij projekti nxënësit në Turqi mbështesin 2012 fëmijë jetimë në Shqipëri. Sa më shumë të rritet Turqia aq më shumë do të rritet ndihma e popullit turk ndaj nevojtarëve në të gjithë botën".
Fondacioni IHH ashtu sikurse në shumë vende të botës prej kohësh ndihmon dhe ju qëndron pranë edhe fëmijëve jetimë shqiptarë. Përmes Shoqatës Alsar ky Fondacion momentalisht ofron ndihmë humanitare dhe monetare për rreth 3 mijë jetimë në të gjithë Shqipërinë. Ndihma e këtij Fondacioni nuk konsiston vetëm me atë financiare. IHH ka ndihmuar jetimët shqiptarë në shumë fusha ku mund të veçohet ajo e arsimit, me anë të bursave të ndryshme, ndihmave në artikuj shkollorë, etj.