09 Janar 2018•Përditësim: 10 Janar 2018
IDLIB (AA) – Burak Karacaoğlu,Eşref Musa
Numri i personave të cilët kanë ikur në kampet në veri të Idlibit nga sulmet e regjimit të Bashar al Asadit dhe të organizatës terroriste DEASH në Siri ka arritur në 150 mijë.
Përleshjet intensive dhe sulmet ajrore në rajonet në mes të zonës rurale në jug të Idlibit dhe zonës rurale veriore të qytetit Hama, e cila ndodhet në pjesën qendrore të Sirisë shkaktuan emigrimin e civilëve në zonën rurale veriore të Idlibit.
Civilët të cilët u strehuan në kampe ballafaqohen me ditë të vështira për shkak të reshjeve të dendura dhe motit të ftohtë.
Një pjesë e madhe e civilëve të cilët emigruan përpiqen që të strehohen nëpër rrugë, automjete apo në tenda të improvizuara të vendosura me mundësitë e tyre.
Përgjegjësi për mediat i Fondacionit humanitar IHH për çështjet siriane, Selim Tosun në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se numri i personave të cilët emigruan në veri të Idlibit për shkak të rritjes së sulmeve gjatë javëve të fundit ka arritur në 150 mijë.
Tosun thotë se në rast se vazhdojnë sulmet e Rusisë dhe të Asadit, numri i emigrantëve do të arrijë në të paktën 250 mijë.
Ai tha se IHH-ja ndihmon për vendosjen e kampeve dhe ofron ndihma ushqimore. “Emigrantët erdhën papritmas në rajon. Ne u bëjmë thirrje organizatave humanitare ndërkombëtare që të ndihmojnë përballë këtij fluksi kaq të madh të emigrimit”, tha ai.
- “Nuk kemi tenda, jetojmë jashtë”
Nasir Shuble thotë se kanë ikur nga sulmet e regjimit dhe të mbështetësve të tij nga jugu i Idlibit dhe se janë strehuar në fshatin Kefer Lusin në veri të këtij qyteti, i cili sipas tyre është relativisht më i sigurtë.
“Gjatë 10 ditëve pleqtë, fëmijët dhe gratë jetojnë në ambient të hapur. Nuk kemi tenda. Kemi mbetur jashtë”, thotë ai.
Më tej Shuble vuri në dukje se shtëpitë e tyre kanë pësuar dëme të mëdha në sulme. “Kur dëgjuam se ushtarët e regjimit kanë hyrë në fshat, ne ikëm pa i marrë fare as dyshekët tanë. Nuk arritëm t’i marrim as mobiljet e as rrobat tona. Ne u detyruam që të shpejtojmë për t'i shpëtuar vdekjes”, thotë ai.
Poashtu edhe 35 vjeçari Ahmed Daos, i cili ka ikur nga sulmet dhe është strehuar në fshatrat veriore të Idlibit, në kufi me Turqinë, thotë se fshatrat në Sinxhar janë shkatërruar tërësisht.
“Ne ikëm dy ditë para sulmeve ajrore. Kërkojmë tenda për gratë dhe fëmijët tanë”, tha Daos.
Ai thotë se çdo ditë shkon në rajon për t’i transportuar ata të cilët dëshirojnë të largohen nga fshatrat të cilat janë cak i sulmeve. “Ka mijëra civilë të cilët kanë mbetur në rrugë. Unë i transportoj personat të cilët nuk kanë automjete”, tha Daos.