Ekip
20 Nëntor 2019•Përditësim: 20 Nëntor 2019
Të paktën 22 fermerë janë arrestuar në veri të Indisë për djegie të kashtës, duke shkaktuar një nga ndotjet më të mëdha të ajrit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi Awanish Awasthi tha se të arrestuarit në rrethin Pilibhit të shtetit Uttar Pradesh përballen me akuza për mosbindje ndaj një ndalimi të djegies së kashtës, duke e bërë të dëmshëm ambientin.
Gjykata Supreme e Indisë javën e kaluar urdhëroi gjoba deri në 100 mijë rupi (1.420 dollarë) për ndotësit e ajrit.
Ndotja e ajrit në veri të Indisë arrin kulmin gjatë dimrit për shkak të tymit nga zjarret bujqësore. Tymi përzihet me emetimet e automjeteve dhe pluhurin e ndërtimeve.
Në fillim të këtij muaji indeksi i cilësisë së ajrit në New Delhi tejkaloi 500 mikrogramë, rreth 10 herë mbi maksimumin e rekomanduar, por erërat e forta ulën nivelin e tyre në 250 mikrogramë këtë javë.