Ekip
15 Qershor 2020•Përditësim: 15 Qershor 2020
Numri i vdekjeve në Indi për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) ka shkuar në mbi 9.500 që nga mëngjesi i së hënës, me 11.502 më shumë infektime dhe 325 vdekje në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Familjes në Indi treguan se vendi ka kaluar 11 mijë raste ditore për ditën e tretë me radhë, duke e rritur numrin e infektimeve në 332.424 dhe numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 9.520 në vendin e dytë më të populluar në botë.
Në mesin e rasteve të përgjithshme, 153.106 janë aktive, ndërsa 169.798 raportohet se janë shëruar ose larguar nga vendi.
Kjo është dita e dhjetë me radhë që India ka raportuar më shumë se 9 mijë raste me COVID-19, me një numër rekord të pacientëve të rinj çdo ditë.
Kryeqyteti i vendit New Delhi do të shndërrojë 500 vagona hekurudhore për të vendosur 8 mijë shtretër më shumë për pacientët me koronavirus, njoftoi të dielën ministri i Brendshëm, Amit Shah.
Delhi është shteti i tretë më i goditur në Indi pas Maharashtra dhe Tamil Nadu.
Javën e kaluar, rastet në Indi tejkaluan ato të Britanisë, për t'u bërë vendi i katërt më i goditur në botë pas SHBA-së, Brazilit dhe Rusisë, sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.
Shteti perëndimor Maharashtra vazhdon të jetë epiqendra e shpërthimit në Indi, me 3.950 të vdekur, ndërsa numri i përgjithshëm i pacientëve është rritur në 107.958, përfshirë 53.030 raste aktive.