Hakan Ceyhan Aydoğan
15 Nëntor 2016•Përditësim: 15 Nëntor 2016
MOSKË (AA) - Përfaqësuesi i Posaçëm i presidentit rus Vladimir Putin për Afganistanin dhe drejtori i Departamentit të Dytë të Ministrisë së Jashtme për Azinë, Zamir Kabulov, tha se në Afganistan nuk ka një zgjidhje të lirë dhe të shpejtë.
Në intervistën për gazetarin e Anadolu Agency (AA) në Moskë, Kabulov dha vlerësime në lidhje me gjendjen në Afganistan, zhvillimet në rajon dhe politikat e Rusisë.
Ai theksoi se gjendja e përgjithshme në Afganistan ngjall shqetësime të thella. “Sot në Afganistan nuk gjenden tre komponentë të rëndësishëm, që janë ekonomia, një qeveri e mirë dhe forca të fuqishme të armatosura. Mosprania e këtyre komponentëve krijon shqetësime për pesimizëm. Është e vështirë të ofrohet zgjidhje në këto kushte. Aktualisht në Afganistan nuk ka zgjidhje të lirë dhe të shpejtë", tha Kabulov.
Kabulov tha se përkeqësimi i gjendjes në Afganistan do të ndikonte negativisht në rajon. “Gjendja në Azinë Qendrore që buron nga Afganistani mund të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë. Ne si vende të rajonit përkrahim stabilitetin në Afganistan, sepse kjo është tokë e bashkësisë dhe ndodhitë atje ndikojnë te ne drejtpërdrejt”, u shpreh Kabulov.
“Do të përpiqemi që Afganistani të mos rrokulliset drejt kaosit”
Kabulov më tej theksoi se përkrahin qeverinë e Kabulit, megjithatë, siç tha ai, kjo nuk do të thotë se ata do t’i shpërfillin dështimet administrative. “Në kushtet aktuale, ardhmëria e Afganistanit është mjaft e paqartë. Megjithatë, pse çdo gjë është keq nuk do të thotë se edhe në të ardhmen do të jetë keq. Për këtë arsye, do të përpiqemi që Afganistani të mos rrokulliset drejt kaosit”, theksoi Kabulov.