Mahmoud Barakat
15 Nëntor 2016•Përditësim: 15 Nëntor 2016
ANBAR (AA) – Dy sulme të ndara vetëvrasëse kanë shkaktuar 9 të vrarë dhe 26 të plagosur në Falluxhë të Irakut, përgjegjësinë për të cilat e mori DEASH-i, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbrëmë një sulmues vetëvrasës është futur me automjetin e tij të mbushur me eksploziv në një pikë kontrolli të forcave të sigurisë në qarkun Nazal të Falluxhës, ku më pas ka aktivizuar mjetin shpërthyes.
Në një incident tjetër në Falluxhë, një sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në ajër në shtabin e policisë.
“Pesë pjesëtarë të forcave të armatosura dhe katër civilë kanë mbetur të vrarë gjatë dy sulmeve të ndara”, deklaroi për AA mjeku Ahmed Jassim, sipas të cilit 10 pjesëtarë të sigurisë dhe 16 civilë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në rrjetet sociale ka qarkulluar një deklaratë e organizatës terroriste DEASH në të cilën ajo merr përgjegjësinë për sulmet.