Emir es-Sa'di,Zeynep Tüfekçi
16 Korrik 2017•Përditësim: 17 Korrik 2017
MOSUL (AA) - Pas shpalljes së çlirimit të qytetit irakian të Mosulit nga organizata terroriste DEASH, në pjesën perëndimore të qytetit janë arrestuar 246 pjesëtarë të dyshuar të DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Ijad Fetih el-Aseli, oficer i policisë së Irakut, për AA tha se forcat irakiane kanë arrestuar 246 pjesëtarë të dyshuar të organizatës terroriste DEASH në pesë ditët e fundit, në Qytetin e Vjetër në pjesën perëndimore të Mosulit, duke njoftuar se ende është duke vazhduar pastrimi i qytetit të vjetër.
"246 personat e arrestuar u nxorrën nga tunelet e hapura në qytet nga DEASH-i. Disa u dorëzuan për shkak të urisë dhe etjes, ndërsa disa të tjerë ishin të plagosur. Në mesin e tyre ka edhe pjesëtarë të lartë të organizatës. Ndaj këtyre personave do të ndërmerret hetim rigoroz", tha Aseli.
Nga ana tjetër, Najif ez-Zebidi, toger në ushtrinë irakiane, tha se ekipet e detonimit janë nisur në operacion të gjerë për të pastruar Qytetin e Vjetër nga mjetet shpërthyese dhe raketat e padetonuara.
Zebidi tha se ekipet janë duke hasur në vështirësi për shkak të rrënimit të shtëpive dhe ngeljes së mjeteve shpërthyese nën to. Ai informoi se pas pastrimit të mjeteve shpërthyese do të mblidhen kufomat e civilëve dhe do t'i largojnë rrënojat në mënyrë që banorët të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ndryshe, ushtria e Irakut së bashku me koalicionin ndërkombëtar të kryesuar nga Peshmergët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) më 17 tetor të vitit 2016 nisën operacion të gjerë për çlirimin e Mosulit nga DEASH-i.
Pjesa lindore e qytetit u çlirua tërësisht 100 ditë pas nisjes së operacionit, më 24 janar të këtij viti. Ndërkaq, më 19 shkurt nisi operacioni për çlirimin edhe të pjesës perëndimore nga tre fronte.
Më 10 korrik, kryeministri i Irakut Haider al-Abadi shpalli çlirimin e plotë të Mosulit nga DEASH-i, i cili kishte marrë kontrollin e qytetit në qershor të vitit 2014.