Sibel Uğurlu
14 Gusht 2017•Përditësim: 15 Gusht 2017
ERBIL (AA) – Komisioni i Lartë i Pavarur i Zgjedhjeve dhe i Referendumit (IHEC) i Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) në veri të Irakut të hënën konfirmoi se referendumi i planifikuar mbi ndarjen e rajonit kurd do të mbahet më 25 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
“Me shumicën e votave, anëtarët e komisionit votuan për të miratuar kërkesën e KRG-së për të mbajtur referendumin më 25 shtator”, tha Sirvar Zirar, zëdhënësi i IHEC-it për mediat.
Zirar tha se banorëve të rajonit që jetojnë aktualisht jashtë vendit do t’u jepet mundësia të votojnë në referendum online. Ai thekson se rajoni kurd gjithashtu planifikon të organizojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 1 nëntor
Referendumi i shtatorit, i cili do të konsiderohet jo-detyrues, do të tregojë votën e banorëve të rajonit nëse do të deklarohet pavarësia nga qeveria qendrore e Irakut në Bagdad.
Ndërkohë, Bagdadi zyrtar hodhi poshtë anketën e planifikuar, duke thënë se kjo mund të ndikojë negativisht në luftën e vazhdueshme të rajonit kundër organizatës terroriste DEASH.
Qeveria e Irakut gjithashtu pohon se sondazhi do të shkelte kushtetutën e Irakut të vitit 2005 dhe do të ishte “pa përfitim politik apo ekonomik, ndaj kurdëve të rajonit”.
Turqia gjithashtu kundërshton referendumin e planifikuar, duke këmbëngulur se stabiliteti i rajonit është i lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Irakut.
SHBA-të kanë shprehur poashtu shqetësimin se referendumi mund të shërbejë si një “shpërqëndrim” nga çështjet tjera rajonale, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe stabilizimit politik të Irakut “të lodhur” nga lufta.