Ekip
18 Nëntor 2019•Përditësim: 19 Nëntor 2019
Protestuesit irakianë, në mesin e demonstratave masive kundër korrupsionit, sot bllokuan rrugët kryesore që çojnë tek fushat e naftës në provincën jugore Basra, raporton Anadolu Agency (AA).
"Protestuesit do të vazhdojnë të bllokojnë rrugët me qëllim të imponimit të grevës së përgjithshme në vend", tha një aktivist lokal, duke kërkuar të mbetet anonim për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.
Të dielën, protestuesit bllokuan rrugën që çon në fushën e naftës Majnoon, e cila ka rreth 38 miliardë fuçi naftë.
Që nga fillimi i tetorit, Iraku u përfshi nga protestat masive popullore kundër politikave të qeverisë të cilat, sipas protestuesve, nuk arritën të adresojnë kushtet e dobëta të jetesës së irakianëve dhe t'i japin fund korrupsionit. Kërkesat më vonë u zhvilluan në kërkesa të shpërbërjes së qeverisë së Adel Abdul-Mahdi.
Sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut, të paktën 335 irakianë janë vrarë dhe rreth 15.000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i protestave më 1 tetor.