Ali Mukarrem Garip
01 Korrik 2018•Përditësim: 02 Korrik 2018
BAGDAD (AA) – Të paktën një polic u vra dhe 22 persona të tjerë u plagosën në një sulm vetëvrasës me bomba që ndodhi sot në qytetin verior të Irakut, Kirkuk, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisari i policisë Hamed al-Obeidi për AA tha se një sulmues i lidhur me organizatën terroriste DEASH kreu sulmin me bombë në objektin në jug të qytetit ku ruhen kutitë me feltëvotimet nga zgjedhjet e fundit parlamentare irakiane.
"Shumica e viktimave janë pjesëtarë të forcave të sigurisë irakiane të cilët ishin të angazhuar në ruajtjen e depos me materialet zgjedhore", tha Al-Obeidi.
Zëdhënësi i Komisionit Suprem Zgjedhor të Irakut, Andul-Basit Derwish, tha se nga sulmi nuk janë shkatërruar, dhe as dëmtuar materialet zgjedhore.
"Në mesin e të plagosurve janë dhe dy punonjës të Komisionit Zgjedhor, ndërsa viktimat tjera janë pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë", tha Derwish.
Sulmi ka ndodhur dy ditë para fillimit të rinumërimit të fletëvotimeve nga zgjedhjet e fundit, e cila u kërkua nga Parlamenti i Irakut dhe u miratua nga Gjykata e Lartë në vend.
Rinumërimi i votave është kërkuar për shkak të dyshimit për rregullsinë e numërimit të parë pas zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura në Irak më 12 maj, në të cilat më së shumti vota fitoi koalicioni shiit Sairoon i udhëhequr nga kleriku Muqtad al-Sadr.