Hacer Başer
21 Gusht 2017•Përditësim: 22 Gusht 2017
MOSUL (AA) - Si pasojë e operacionit për çlirimin e qytetit Tal Afar të Mosulit nga organizata terroriste DEASH, nga forcat irakiane janë çliruar 3 fshatra në perëndim të qarkut, raporton Anadolu Agency (AA).
Togeri Baha el-Majahi, në një deklaratë për AA tha se, forcat federale policore dhe milicët Hashdi Shabi kanë marrë kontrollin në fshatrat Molla Xhasim, Abra Aziz dhe Muhsin el-Ibadi të cilat gjenden në perëndim të vendit.
Majahi gjithashtu theksoi se gjatë operacioneve të kryera në këto fshatra janë vrarë 22 anëtarë të DEASH-it.
Kryeministri i Irakut, Hajdar el-Ibadi, dje kishte njoftuar se ka nisur operacioni tokësor për të çliruar Tal Afar-in nga DEASH.
"Forcat amerikane pjesë e operacionit kundër DEASH-it në Tal Afar"
Sipas një burimi ushtarak irakian, forcat e SHBA-ve janë duke marrë pjesë në operacionin ushtarak në vazhdim për të larguar organizatën terroriste DEASH nga distrikti Tal Afar.
“Forcat e SHBA-ve të stacionuara në bazën Kahrez po godasin pozicionet e DEASH-it brenda qytetit”, tha Ihab al-Yasseri për AA, komandant i ushtrisë.
Pa ofruar një numër të saktë vdekjesh, al-Yasseri theksoi se një numër i militantëve të DEASH-it ishin vrarë dhe plagosur nga breshëritë e artilerieve.
Sipas oficerit të ushtrisë, këshilltarët ushtarakë të SHBA-ve gjithashtu janë duke dhënë mbështetje logjistike dhe taktike për forcat irakiane, që marrin pjesë në ofensivë.
Sipas Pentagon-it, më shumë se pesë mijë trupa amerikanë aktualisht marrin pjesë në luftën në vazhdim kundër DEASH-it në Irak.
Qeveria e Irakut, nga ana e saj, thotë se ushtarët amerikanë nuk po marrin pjesë në luftime, por grumbullojnë dhe ndajnë vetëm informacione për t’i ofruar mbështetje logjistike Irakut.
Të dielën, ushtria irakiane filloi një ofensivë të parashikuar gjerësisht për të çliruar qytetin Tal Afar nga DEASH. Ushtria thotë se forcat e saj kanë arritur të rimarrin disa fshatra në periferi të rrethit të banuar kryesisht me turkmenë, të cilat u pushtuan nga DEASH në mesin e vitit 2014 së bashku me disa territore në Irakun verior dhe perëndimor.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) vlerëson se mes 10 mijë dhe 40 mijë civilë ende banojnë në Tal Afar dhe në zonat përreth.
“Kalifati” i vetëshpallur DEASH filloi të rrënohet muajin e kaluar kur ushtria irakiane e çliroi qytetin verior Mosul, pas një fushate ushtarake nëntë mujore.