Mahmoud Barakat
13 Tetor 2015•Përditësim: 13 Tetor 2015
BAGDAD (AA) – Kryeministri irakian, Haidar al-Abadi ka njoftuar të hënën nisjen e asaj që ai e quajti fazën e dytë të fushatës ushtarake të Irakut kundër organizatës terroriste DAESH për të rimarrë provincën veriore të Saladinit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai në një komunikatë të lëshuar për mediat theksoi se ky operacion ushtarak do të jetë një hap përpara në çlirimin e Mosulit, qytet ky i cili konsiderohet si një nga fortesat e DAESH-it, i pushtuar më shumë se një vit më parë.
Më 31 mars, forcat irakiane të sigurisë, të mbështetura nga milicia shiite el-Hashd el-Shaabi, morën nën kontroll Tikritin, kryeqytetin e provincës Salahdin.
Kryeministri Abadi urdhëroi në atë kohë milicinë të tërhiqet menjëherë nga zona, pas akuzave të plaçkitjes dhe djegies së pronave private në qytetin me shumicë sunite.
Operacioni i ri do të synojë Baijin, distriktin strategjik në veri të Tikritit, i cili ka qenë arenë e përleshjeve midis forcave irakiane të sigurisë dhe DAESH-it mbi kompleksin e rëndësishëm të rafinerisë së naftës.