Haydar Şahin
30 Tetor 2022•Përditësim: 30 Tetor 2022
Protestat që filluan në Iran pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini humbi jetën pas ndalimit, kanë vazhduar edhe sot në shumë universitete të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Studentët kanë mbajtur protesta në universitetet që ndodhen kryesisht në kryeqytetin Teheran dhe në disa qytete tjera. Në protestat ku janë hedhur slogane kundër qeverisë, studentët kërkuan lirimin sa më parë të shokëve të tyre të arrestuar.
Në median sociale është protestuar kundër disa pamjeve, për të cilat pretendohet se i përkasin momenteve të ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj konviktit studentor në Universitetin "Arak". Gjatë ndërhyrjes në fjalë pretendohet se disa studentë janë plagosur me plumba plastikë.
Në mesin e informacioneve të ardhura janë se forcat e sigurisë kanë penguar hyrjet në Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Teheranit duke konfiskuar kartat e identitetit studentor të shumë studentëve.
Ndërsa disa studentë në Universitetin "Allameh Tabatabai" kanë deklaruar se kanë marrë një mesazh informimi me SMS se janë larguar përkohësisht nga konvikti studentor dhe universiteti me arsyen se kanë mbështetur protestat. Studentët, mesazhet informuese në fjalë i kanë postuar nga media sociale.
Në protesta herë pas here shënohen përleshje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë ose mes studentëve pro-qeverisë.
- Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua më 13 shtator nga patrullat e Irshad-it, e njohur si "Policia e moralit" në Teheran, shkaktoi protesta në vend.
Protestat të cilat nisën pas funeralit të Aminit në vendlindjen e saj në Sakkez më 17 shtator, u përhapën në shumë qytete të vendit.
Burimet zyrtare nuk japin informacion të qartë lidhur me humbjet e jetëve, por Organizata iraniane e të Drejtave të Njeriut me qendër në Norvegji ka njoftuar se në protesta kanë humbur jetën mbi 200 persona.