Nuri Aydın
30 Tetor 2022•Përditësim: 31 Tetor 2022
Si pasojë e shembjes së një ure në rajonin Gujarat të Indisë, qindra persona kanë rënë në lum, ndërsa kanë humbur jetën të paktën 32 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit në shtypin indian, mësohet se një urë e varur me të paktën 400 persona mbi të u shemb në qytetin Morbi në rajonin Gujarat në perëndim të vendit.

Në incident qindra njerëz mbi urë kanë rënë në lumin Machchu dhe të paktën 32 persona kanë humbur jetën.
Në pamjet e paraqitura në median lokale, vërehet se disa persona janë strehuar në pjesët e urës së shembur të mbetura në sipërfaqe të ujit.

Zyrtarët njoftuan se ekipet e ndihmës emergjente dhe të kërkim-shpëtimit janë dërguar në rajon.
Krahas kësaj vihet në dukje se ura e shembur ishte hapur sërish në përdorim pas riparimit të bërë pak kohë më parë.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi në një deklaratë nga Twitteri shprehu keqardhje të madhe për incidentin. "Ekipet e kërkim-shpëtimit do të ndihmojnë të prekurit. Tragjedia në Gujarat më ka shqetësuar. Mendimet dhe lutjet e mia janë me njerëzit e prekur", tha ai.
Modi njoftoi se për të afërmit e atyre që kanë humbur jetën do të jepen 2.430 dollarë ndërsa për të plagosurit rreth 600 dollarë.