Ahmet Dursun
05 Korrik 2016•Përditësim: 05 Korrik 2016
STAMBOLL (AA) – Ministri i Jashtëm i Iranit Javad Zarif dënon sulmet e djeshme terroriste në Arabinë Saudite, më saktësisht në Qatif dhe në Medine, pranë Xhamisë së Profetit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nuk mbeti asnjë vijë e kuqe të cilën terroristët nuk e tejkaluan. Të gjithë ne, shiitët dhe sunitët, do të vazhdojmë të jemi viktima të terrorizmit, derisa përfundimisht nuk bashkohemi", tha shefi i diplomacisë iraniane Zarif në profilin e tij zyrtar në Twitter.
Po ashtu edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Behram Qassim, në një deklaratë me shkrim dënoi ashpër sulmet në Arabinë Saudite dhe ftoi të gjithë botën islame në luftë të peërbashkët kundër terrorizmit.
"Terrorizmi nuk njeh kufij, as kombe. Kundër kësaj të keqe, nuk ka zgjidhje tjetër, përpos të arrihet unitet në luftën kundër saj në nivel rajonal dhe global", tha Qassim.