Ahmet Dursun
13 Korrik 2022•Përditësim: 13 Korrik 2022
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi tha se vendi i tij nuk do bëjë lëshime ndaj qëndrimit të tij të drejtë dhe logjik në negociatat lidhur me rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, presidenti Raisi tha: "Deklaratat e Washingtonit se Irani ka pretenduar kërkesa jashtë marrëveshjes bërthamore dhe se për këtë arsye kanë dështuar negociatat bërthamore nuk janë të drejta. Irani në negociatat e zhvilluara 5+1 dhe 4+1 ka vepruar gjithmonë me logjikë dhe ka paraqitur kërkesat e tij të arsyeshme. Ekipi ynë negociator edhe sot nuk ka bërë asnjë kërkesë jashtë kuadrit të marrëveshjes".
Duke thënë se vendi i tij nuk do të bëjë lëshime nga qëndrimi i tij i drejtë dhe logjik në negociatat lidhur me gjallërimin e marrëveshjes bërthamore, Raisi tha se "SHBA-ja duhet të veprojë realisht dhe të heqë dorë nga politika e saj e presionit maksimal".
Ai potencoi vizitat e zyrtarëve amerikanë në vendet e rajonit dhe veçanërisht vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Lindjen e Mesme. "Edhe pse këto vizita bëhen për të forcuar pozicionin e regjimit sionist (Izraelit) dhe për të normalizuar marrëdhëniet e këtij regjimi me disa vende, përpjekjet e tyre nuk do të ofrojnë siguri ndaj sionistëve", tha Raisi.
Sipas tij, vendi po ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në rajon. "Atyre që na kanë përcjellë neve mesazh nga amerikanët, u kemi thënë shumë herë se çdo lëvizje e vogël që do të bëhet kundër integritetit territorial të Iranit, do të përballet me reagimin tonë të vendosur", tha presidenti iranian.