Mustafa Melih Ahıshalı
09 Maj 2022•Përditësim: 10 Maj 2022
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh tha se nëse SHBA-ja kompenson dëmin që ka pësuar populli iranian për shkak të sanksioneve, do t'u kthehen negociatave bërthamore në Vjenë dhe do të nënshkruajnë marrëveshjen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave iraniane, Khatibzadeh dha deklarata për negociatat bërthamore dhe vizitën e Zv/Sekretarit të Përgjithshëm dhe Drejtorit Politik të Shërbimit për Marrëdhëniet me Jashtë të Bashkimit Evropian (BE), Enrique Mora që do të bëhet në këtë kontekst në vizitën e tij në ditët në vijim.
"Nëse SHBA-ja merr vendimin e saj sot dhe kthen atë që mori nga xhepat e popullit iranian, pranon të kompensojë të drejtat e humbura dhe respekton këto të drejta, ne do të kthehemi në Vjenë një ditë pas vizitës së Mora-s në Teheran dhe do të nënshkruajmë marrëveshjen", tha Khatibzadeh.
I pyetur në lidhje me pretendimin e emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamed Al Thani, i cili pritet të vizitojë Teheranin këtë javë, se ai do të veprojë si "ndërmjetës mes Iranit dhe SHBA-së", Khatibzadeh tha: "Vendet 4+1 dhe Irani janë në njërën anë, SHBA-ja është në anën tjetër. Irani nuk ka nevojë për një ndërmjetës për të negociuar me vendet 4+1. Katari ka qëndruar gjithmonë pranë të drejtave të Iranit".
- Negociatat bërthamore në Vjenë
Marrëveshja e parë e quajtur Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (KOEP) për aktivitetet bërthamore të Iranit, u nënshkrua në vitin 2015 midis 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Britania e Madhe, SHBA-ja, Kina, Franca, Rusia) Gjermania dhe Irani.
Sanksionet ekonomike kundër Iranit u rivendosën pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin e tij nga marrëveshja në vitin 2018. Pas kësaj, qeveria e Teheranit iu kthye gradualisht aktiviteteve të saj bërthamore.
Diskutimet për zbatimin e KOEP rifilluan vitin e kaluar në kryeqytetin austriak në Vjenë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell njoftoi më 11 mars se negociatat në Vjenë janë ndërprerë për shkak të "faktorëve të jashtëm".