Muhammet Kurşun
14 Dhjetor 2021•Përditësim: 14 Dhjetor 2021
Kryenegociatori dhe zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bagheri, ka mbrojtur idenë e tij se "disa aktorë" në negociatat mbi programin bërthamor vazhdojnë "zakonet e akuzimit në vend të diplomacisë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Lidhur me bisedimet që vazhdojnë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, zyrtari iranian Bagheri në një postim nga llogaria e tij në Twitter kritikoi palët perëndimore se nuk kanë ndërmarrë hapa.
"Disa aktorë insistojnë në zakonet e akuzimit në vend të diplomacisë së vërtetë. Në mënyrë konstruktive dhe fleksibël kemi treguar përpjekje për pakësimin e mosmarrëveshjeve. Diplomacia është një rrugë me dy korsi. Rruga për një marrëveshje të mirë hapet shpejt nëse ka vullnet për të rikuperuar gabimin e atij që ka mangësi", tha Bagheri, duke rikujtuar se propozimet e Iranit janë paraqitur në një mënyrë të shpejtë.
Bisedimet e marrëveshjes bërthamore të Iranit që emërtohen si "Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA)" u mbajtën me 29 nëntor në Vjenë pas ndërprerjes prej rreth 5 muaj.
Në bisedimet e zhvilluara nën kryesimin e zv.sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorit politik të Shërbimit të Marrëdhënieve të Jashtme të BE-së, Enrique Mora, morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Irani.
Pas mos arritjes së dakordimit mes palëve bisedimet u ndërprenë për rreth një javë dhe rifilluan më 9 dhjetor.
Pala evropiane mbrojti idenë e saj se delegacioni iranian ka bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në tekstin e projektmarrëveshjes së dakorduar në negociatat e mëparshme si dhe akuzoi Iranin për paraqitjen e një "qëndrimi të ngurtë" në bisedime.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, ka mbrojtur idenë e tij se propozimet për zgjidhje janë në përputhje me marrëveshjen bërthamore.