Ahmet Dursun
20 Prill 2023•Përditësim: 20 Prill 2023
Komandanti i Forcave Detare të Iranit, Shahram Irani tha se u zbulua dhe paralajmërua nëndetësja bërthamore e SHBA-së që hyri në ujërat territoriale të vendit në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Admirali Irani foli në televizionin shtetëror iranian dhe tha se "Nëndetësja amerikane e emërtuar Florida, po kalonte nga Ngushtica e Hormuzit me synimin që të mos zbulohej. Nëndetësja iraniane Fatih e cila po kryente detyrën e patrullimit në atë zonë e përcaktoi dhe e detyroi atë të dalë në sipërfaqe".
Komandanti iranian tha se nëndetësja amerikane hyri deri në ujërat territoriale të Iranit dhe ndryshoi kursin e saj pas paralajmërimit.
"Amerikanët duhet të shpjegojnë pse shkelin ligjin ndërkombëtar në një rrugë të rëndësishme detare. Paralajmërimi që pas kësaj duhet të zbatojnë të gjitha ligjet ndërkombëtare, është paralajmërimi i fundit që marina e Iranit i bën SHBA-së. Veprimin e nëndetëses amerikane do ta pasqyrojmë tek autoritetet ndërkombëtare në mënyrë që ata të japin llogari për këtë veprim të rrezikshëm", tha ai.
Irani edhe më 2 prill njoftoi se ka zbuluar dhe paralajmëruar një avion zbulues të SHBA-së i cili shkeli hapësirën ajrore në jug të vendit.