Partia e ekstremit të djathtë "Brothers of Italy" (Vëllezërit e Italisë) dhe aleanca e krahut të djathtë fituan zgjedhjet e përgjithshme dje në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në zgjedhjet e djeshme në mandatin e 19-të legjislativ, italianët votuan për deputetët që do t'i përfaqësojnë në Senat (200 vende) dhe në Dhomën e Ulët të përfaqësuesve (400 vende).
Pjesëmarrja në zgjedhje, ku të drejtë vote kishin 50.8 milionë votues, ishte 63.9 për qind. Kjo u regjistrua si “pjesëmarrja më e ulët në historinë e zgjedhjeve të përgjithshme në Itali”.
Sipas rezultateve të ndara nga Ministria e Brendshme, FdI e ekstremit të djathtë, e drejtuar nga Giorgia Meloni, fitoi zgjedhjet me 26.2 për qind të votave.
Partia Demokratike, partia e qendrës së majtë e drejtuar nga Enrico Letta, u bë partia e dytë me më shumë vota në vend me 19.2 për qind.
Lëvizja "5 Yjet" (M5S), e udhëhequr nga ish-kryeministri, Giuseppe Conte, mori vendin e tretë me 15.3 për qind të votave. Në sondazhet parazgjedhore parashikohej që M5S të merrte më pak vota.
Ndryshe nga sondazhet para zgjedhjeve, përqindja e votave të Partisë së Ligës nga aleanca e djathtë ishte 8.9 për qind. Liga, e udhëhequr nga Matteo Salvini, nuk i përmbushi pritjet.
Forza Italia (FI), nga aleanca e krahut të djathtë të udhëhequr nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi, u rendit në vendin e pestë me 8 për qind të votave.
E pozicionuar në qendër si "Poli i Tretë", Partia e Veprimit (Az) e drejtuar nga Carlo Calenda dhe partneri i saj Italia Viva (Iv), me të cilin hyri në zgjedhje, mori 7.7 për qind të votave. “Poli i tretë” tërhoqi vëmendjen me fushatën elektorale që zhvilluan në një kohë të shkurtër dhe morën vota mbi pritshmëritë.
Në bazë të aleancës, përqindja e votave të aleancës së djathtë të formuar nga partitë: FdI, League, FI dhe disa parti më të vogla ishte 44.3 për qind.
Aleanca e qendrës së majtë, partia e së cilës është PD, mbeti pas aleancës së djathtë me 26.1 për qind të votave.
Në përputhje me këto rezultate, aleanca e krahut të djathtë fitoi vende si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, duke arritur një shumicë absolute për të formuar qeverinë.
Në media thuhet se aleanca e djathtë do të arrijë ndërmjet 114 dhe 126 vende në Senat dhe midis 232 dhe 252 vende në Dhomën e Përfaqësuesve në tërësi.
Meloni është shumë afër që të bëhet “gruaja e parë” dhe kryeministrja “e parë e ekstremit të djathtë”.
Sytë u kthyen nga Meloni, pasi aleanca e djathtë doli fituese në zgjedhje dhe aleanca pranoi të përcaktonte kryeministrin me numrin më të madh të votave.
Meloni pritet të shpallet kandidate për kryeministre nga aleanca e djathtë.
Me zgjedhjen e kryeministres së Fdl-së pas marrjes së mandatit nga presidenti për të formuar qeverinë, "për herë të parë në historinë e Italisë, një grua do të marrë këtë post".
Përveç kësaj, nëse Meloni bëhet kryeministre, "për herë të parë në vend, një politikan i ekstremit të djathtë" do të marrë postin e kryeministrit pas liderit fashist, Benito Musolini.
Nëse Giorgia Meloni bëhet kryeministre, ajo do të jetë gjithashtu "liderja e parë e zgjedhur në vend që nga viti 2008". Në Itali, 6 kryeministrat që kanë qenë në detyrë në 10 vitet e fundit nuk u zgjodhën duke konkurruar për kryeministër në zgjedhje, por u emëruan nga presidentët.
Ministri aktual i Jashtëm, Di Maio nuk mundi të zgjidhej, Berlusconi sërish në Senat
Sipas mediave italiane, ministri aktual i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio, i cili hyri në zgjedhjet e 2018 si kreu i Lëvizjes "5 Yjet" dhe shërbeu si ministër në të tre qeveritë e formuara në periudhën legjislative të 18-të ishte një nga humbësit në këto zgjedhje. Di Maio nuk arriti të fitonte zgjedhjet në zonën elektorale të Napolit dhe nuk mundi të hynte në parlament këtë mandat.
Lideri i Forza Italia, Silvio Berlusconi, i cili u përjashtua nga Senati për shkak të dënimit të tij në një çështje ku u konstatua se kishte evazion fiskal në vitin 2013 dhe i cili u ndalua nga politika për 6 vjet, do të rikthehet në Senat pas 9 vitesh pasi fitoi zgjedhjet.
Berlusconi, 85-vjeç, u zgjodh nga zona e Monza-s, duke fituar të drejtën për të hyrë në Senat.
Ndërkohë, suksesi elektoral i Melonit dhe aleanca e djathtë u pasqyrua gjerësisht në mediat italiane.
Gazeta si La Repubblica shkroi: “Meloni merr Italinë”, Corriere della Sera: “Giorgia Meloni fiton”, La Stampa: “Italia shkon djathtas”.
Presidenti italian Sergio Mattarella shpërndau parlamentin në korrik dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme më 25 shtator, duke shënuar fundin e një qeverie të udhëhequr nga kryeministri Mario Draghi që zgjati rreth një vit e gjysmë.