Ekip
23 Korrik 2019•Përditësim: 24 Korrik 2019
Pas dështimit për ta deportuar atë në Jordani, autoritetet izraelite kanë kthyer fotoreporterin e Anadolu Agency (AA) në një qendër paraburgimi ku ai është ndaluar për gjashtë muaj, raporton Anadolu Agency (AA).
“Që nga mbrëmja e të dielës, Izraeli ishte përpjekur për të deportuar 32-vjeçarin Mustafa Kharouf në Jordani, por kundërshtimi i fuqishëm i Jordanisë pengoi këtë”, tha Adi Lustigman për AA, avokate e fotoreporterit të AA-së.
Lustigman shpjegoi se ajo ende nuk ka pasur mundësi të kontaktojë në telefon me klientin e saj, duke theksuar se ata do të kërkojnë lirimin e tij përmes rrugëve ligjore.
“Zhvillimet që nga mbrëmja e djeshme kanë treguar se nuk ka vend tjetër për Kharouf-in ku të shkojë, përveç Kudsit”, tha Lustigman.
Një burim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jordanisë, për AA tha se ata bllokuan deportimin për shkak se ai nuk kishte shtetësi jordaneze.
Deportimi u bllokua poashtu për shkak të “mënyrës së paligjshme që Izraeli u përpoq ta kalojë atë”, shtoi burimi në kushte anonimiteti, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Izraeli ende nuk ka komentuar mbi raportet.
Gjatë ditës së djeshme, një mik i Kharouf-it për AA tha se ai nuk ishte dëgjuar me mikun e tij që nga vendimi i Izraelit për ta deportuar fotoreporterin e AA-së në Jordani.
- Kërcënimi i deportimit
Kharouf u arrestua nga policia izraelite në Kudsin Lindor më 22 janar dhe u mbajt në burg para deportimit të tij të planifikuar.
Autoritetet izraelite thonë se Kharouf, i cili ka jetuar në Kuds me familjen e tij që kur ishte 12 vjeç, ka lindur në Algjeri.
“Gjatë një telefonate të dielën nga burgu, ai më tha se autoritetet izraelite do ta deportojnë atë sot në Jordani”, tha miku i tij për AA në kushte anonimiteti.
Për 20 vitet e fundit, autoritetet izraelite kanë refuzuar vazhdimisht dhënien e një leje qëndrimi afatgjate për Kharouf-in, duke e detyruar atë të marrë viza turistike për çdo vit.
Përderisa Kharouf mban një pasaportë jordaneze që i lejon të udhëtojë në shtetet fqinje arabe, ky vend nuk i mundëson atij shtetësi ose të drejtë banimi në Jordani.
Kharouf ka punuar për AA-në si fotoreporter që nga gushti i kaluar.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet kompleksi i xhamisë Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967.
Në një lëvizje që asnjëherë nuk u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, Izraeli në vitin 1980 aneksoi të gjithë qytetin duke e cilësuar si “kryeqytet të përhershëm dhe të pandarë” të shtetit të vetëshpallur të hebrenjve.
Kudsi mbetet qendra e mosmarrëveshjes së zgjatur me dekada të tëra në Lindjen e Mesme, me palestinezët që shpresojnë se Kudsi Lindor një ditë do të shërbejë si kryeqyteti i shtetit palestinez.