Ebru Şengül,Dilara Zengin
25 Gusht 2016•Përditësim: 25 Gusht 2016
ANKARA (AA) – E ngarkuara me punë në Ambasadën e Izraelit në Turqi, Amira Oron, deklaroi se Izraeli “pajtohet dhe mbështet” operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit” të cilin Forcat e Armatosura të Turqisë dhe forcat ajrore të koalicionit e kanë kryer kundër DAESH-it në qytetin sirian Jarabulus, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratë për AA, Oron theksoi se DAESH-i paraqet kërcënim për paqen globale dhe se edhe Izraeli druan se kjo organizatë mund të jetë kërcënim edhe për kufijtë e tij.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për kërcënimin e DAESH-it. Turqia dhe populli i saj nuk mund të lejojnë që DAESH-i të jetë në kufijtë e saj. Pajtohemi dhe mbështesim operacionet e forcave turke”, tha shefja e përfaqësisë diplomatike të Izraelit në Turqi.
Duke kujtuar për një varg të sulmeve terroriste të cilat DAESH-i ka kryer në Turqi, Oron tha se Qeveria turke ndërmerr hapa adekuate, dhe shfaqi shpresën se forcat turke nuk do të regjistrojnë humbje në këto operacione.
Duke theksuar se edhe Izraeli angazhohet për tërësinë territorial të Sirisë, Oron tha se operacionet e forcave turke që kanë mbështetje ndërkombëtare mund të jenë të dobishme për zgjidhjen e krizës disa vjeçare siriane.
“Jemi kundër të gjitha grupeve terroriste dhe do të mbështesim çdo hap që mund të kontribuojë në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Po shohim se bashkësia ndërkombëtare në mënyrë intensive po zhvillon negociata për zgjidhjen politike të krizës siriane, ndërsa ndoshta është kjo zgjidhja në drejtim të asaj që vendet e rajonit angazhohen. Izraeli mbështet të gjitha përpjekjet në rajon të cilat në fund parashikojnë Sirinë dhe rajonin pa DAESH-in dhe grupet e tjera terroriste”, ka deklaruar Oron.