Qays Abu Samra,Zeynep Hilal Karyağdı
12 Prill 2018•Përditësim: 12 Prill 2018
RAMALLAH (AA) - Forcat izraelite kanë rrënuar shtëpinë e një kryetari palestinez të një bashkie në Bregun Perëndimor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Bashkisë Shagbe në pjesën perëndimore të Ramallahut, Falih Misri, për AA tha se forcat izraelite kanë kryer bastisje në Shagbe dhe kanë rrënuar shtëpinë e tij të ndërtuar një vit më parë në pronë private, me arsyetimin se "ka qenë pa leje".
Buldozerët izraelitë po ashtu kanë rrënuar edhe një mur mbajtës në rajon, njoftoi Misri, duke shtuar se mes forcave izraelite dhe të rinjve palestinezë që kanë reaguar ndaj kësaj ka ndodhur përplasje.
Ndryshe, Izraeli pengon ndërtimet e palestinezëve në zonën C të Bregut Perëndimor.
Në kuadër të "Marrëveshjes së Dytë të Oslos" të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.
Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë.