Ahmet Furkan Mercan
11 Shkurt 2021•Përditësim: 11 Shkurt 2021
Japonia dhe SHBA-ja dënuan dhunën policore ndaj demonstruesve që protestojnë kundër puçit ushtarak në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm i Japonisë, Toshimitsu Motegi në një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Antony Blinken diskutuan për situatën e fundit në Mianmar, aleancën mes dy vendeve dhe bashkëpunimin rajonal.
Në bisedë dy ministrat dënuan dhunën policore ndaj demonstruesve që protestojnë kundër puçit ushtarak në Mianmar dhe bënë thirrje për ndalimin e dhunës ndaj civilëve.
Gjithashtu në bisedë u ndanë edhe shqetësimet lidhur me aktivitetet e Pekinit përreth ishujve të diskutueshme Senkaku në Detin e Kinës Lindore pas projektligjit i cili i jep kompetenca Rojes bregdetare të Kinës që të hapin zjarr ndaj anijeve të huaja.
"Aleanca e sigurisë SHBA-Japoni është gurthemeli i paqes dhe mirëqenies e cila është e rëndësishme për zbatimin e vizionit të Lirë dhe të Hapur Indo-Paqësor", theksuan dy shefat e diplomacisë.
Motegi dhe Blinken u dakorduan për forcimin e aleancës së Dialogut Katërpalësh të Sigurisë ose siç njihet ndryshe "Quad" të formuar nga SHBA-ja, Australia, India dhe Japonia nën koordinimin e treshes SHBA-Japoni-Kore e Jugut.
Sekretari amerikan konfirmoi se ishujt e diskutueshëm Senkaku në Detin e Kinës Lindore janë të përfshira në nenin 5 të marrëveshjes dypalëshe të sigurisë SHBA-Japoni e cila përfshin "kushtin e mbrojtjes së SHBA-së në rast të një sulmi të armatosur ndaj Japonisë".
Kompetenca për përdorimin e armëve
Më 22 janar në Komitetin e Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor të Kinës u miratua ligji i cili i jep kompetenca Rojes bregdetare kineze që të hapë zjarr kundër anijeve të huaja që nuk zbatojnë rregullat në ujërat që Kina pretendon se janë të saj. Ligji në fjalë më 1 shkurt hyri në fuqi.
Në lajmin e agjencisë "Kyodo" thuhet se ligji i jep kompetenca Kinës që të vendos në objektiv anijet japoneze që lundrojnë përreth ishujve të diskutueshëm Senkaku në Detin e Kinës Lindore.