Ahmet Furkan Mercan
17 dhjetor 2021•Përditësim: 17 dhjetor 2021
Japonia do t'i japë ndihmë Shoqatës Ndërkombëtare të Zhvillimit (IDA), fondit të Bankës Botërore për vendet më të varfra, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Financave të Japonisë njoftoi se do t'i ndajë IDA-s ndihmë financiare prej 376 miliardë jen (rreth 3.4 miliardë dollarë) në kuadër të luftës kundër pandemisë së COVID-19.
Ndihma do të përdoret për të ofruar vaksina kundër COVID-19 në 74 vende me të ardhura të ulëta, për të lehtësuar krizën e shkaktuar nga humbja e vendeve të punës në mes të pandemisë në ato vende dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.
IDA është një nga 5 institucionet anëtare të Grupit të Bankës Botërore, e themeluar në vitin 1960. Banka jep kredi pa interes për vendet më të pazhvilluara në botë ndërsa në këtë grup aktualisht përfshihen 81 vende, me një popullsi totale prej 2.5 miliardë banorësh.
Këto vende nuk kanë qasje në tregjet financiare dhe nuk mund të marrin hua me kushtet e tregut. IDA ofron fonde për këto vende për të financuar programe që synojnë ofrimin e shërbimeve publike (arsim, shëndetësi, pastrim të ujit) dhe për të mbështetur reformat strukturore dhe investimet kapitale.