Şerife Çetin
13 Tetor 2017•Përditësim: 13 Tetor 2017
LUKSEMBURG (AA) - Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, ka thënë se nëse Katalonja bëhet e pavarur, atëherë edhe disa vende të tjera do të dëshirojnë të jenë të pavarura dhe se nuk dëshiron që të ketë një Bashkim Evropian (BE) me 100 shtete, raporton Anadolu Agency (AA).
Juncker ka folur para studentëve në Universitetin e Luksemburgut lidhur me zhvillimet në BE.
Ai ka theksuar se gjendja ekonomike e BE-së ende është "e brishtë" edhe përkundër zhvillimit ekonomik në vendet anëtare të Unionit, duke shtuar se fokusi duhet të jetë mbi integrimin, në mënyrë që BE-ja të jetë më efikase dhe në mënyrë që të tejkalohen problemet demografike.
Duke folur për zhvillimet në Katalonjë, ai tha se BE dhe institucionet e saj nuk kanë ndërhyrë në situatën e krijuar mes Spanjës dhe Katalonjës.
"Na pyesin pse KE-ja ose Këshilli Evropian nuk intervenojnë në këtë çështje. Nëse ndërhyjmë edhe ne, atëherë situata bëhet edhe më e komplikuar", ka thënë Juncker.
Ai shtoi se qeveria spanjolle nuk ka hedhur hapat e duhur edhe pse disa herë në të kaluarën ai i ka kërkuar kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy të ndërmarrë iniciativa lidhur me Katalonjën.
Juncker e cilësoi si "tepër shqetësuese" gjendjen aktuale dhe theksoi nevojën që shtetet e BE-së të mos ndahen.
"Nëse Katalonja bëhet e pavarur, atëherë edhe të tjerët do të duan të jenë të pavarur. Kjo gjë nuk më pëlqen. Unë nuk dua që pas 15 vitesh të shoh një BE që përbëhet nga 100 shtete. Ne kemi mjaft vështirësi me 27 shtete. Kjo është e pamundur me shumë shtete", theksoi kreu i KE-së Juncker.