Handan Kazancı
10 Shkurt 2021•Përditësim: 10 Shkurt 2021
Autoritetet në Kanada janë duke rishikuar një audio regjistrim në të cilin thuhet se është e mundur që avioni ukrainas vitin e kaluar ishte rrëzuar qëllimisht në Iran, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Transmetuesi zyrtar kanadez CBC raportoi se qeveria dhe agjencitë e sigurisë janë "duke shqyrtuar audio regjistrimin në të cilin një person i identifikuar nga burimet si ministri i Jashtëm i Iranit (Mohammad Javad Zarif), diskuton mundësinë që rrëzimi i Fluturimit PS752 të ishte një veprim i qëllimshëm”.
Sipas CBC, biseda u zhvillua disa muaj pas rrëzimit të avionit dhe Zarif është dëgjuar duke thënë se "e vërteta nuk do të zbulohet kurrë nga nivelet më të larta të qeverisë dhe ushtrisë së Iranit. Ka arsye që ato të mos zbulohen kurrë".
Ralph Goodale, këshilltari special i kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, në dosjen e Fluturimit PS752, theksoi se qeveria është në dijeni të regjistrimit pasi ekipi i ekzaminimit mjeko-ligjor mori një kopje në nëntor.
"Goodale tha se dosja me incizime përmban informacion të ndjeshëm dhe komentimi publik i detajeve mund të vërë jetët në rrezik", raportoi CBC.
Aeroplani i "Ukrainian International Airlines" PS752 u rrëzua disa minuta pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar “Imam Khomeini” i Teheranit më 8 janar 2020 dhe si pasojë e ngjarjes humbën jetën 176 persona.
Incidenti ndodhi disa ditë pas vrasjes së komandantit të lartë ushtarak të Iranit Qasem Soleimani në një sulm ushtarak amerikan në Bagdad, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit ishin në gatishmëri të lartë.
Autoritetet iraniane fillimisht mohuan që aeroplan i pasagjerëve të ishte goditur nga një raketë. Pranimi i më vonshëm shkaktoi zemërim në të gjithë botën.