Gülşen Topçu
07 Shkurt 2021•Përditësim: 07 Shkurt 2021
Në Gaza u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e fazës së parë të një spitali në qytetin Rafah, në Gaza, i cili do të financohet nga Katari, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën nga Komiteti i Katarit për Rindërtimin e Gazës thuhet se në ceremoni morën pjesë udhëheqësit e komitetit dhe përfaqësuesit politikë palestinezë.
Faza e parë e ndërtimit të spitalit, kostoja totale e të cilit do të jetë 24 milionë dollarë, do të kushtojë 5 milionë dollarë.
Spitali do të ndërtohet në rrethin Es-Sultan, në pjesën perëndimore të Rafah, në një zonë prej 50 dynymë.
Kompleksi spitalor do të përbëhet nga disa ndërtesa me pajisje moderne mjekësore ndërsa kapaciteti spitalor është planifikuar të ketë 355 shtretër.
Ky do të jetë spitali i parë i ndërtuar në Rafah dhe besohet se do të japë një kontribut të rëndësishëm në sektorin shëndetësor dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor për njerëzit në atë zonë.