Yosra Ouanes,Safiye Karabacak
07 Shkurt 2021•Përditësim: 08 Shkurt 2021
Tunizianët zhvilluan një marsh me kërkesën për lirimin e të arrestuarve gjatë protestave që filluan muajin e kaluar në Tunizi për shkak të arsyeve socio-ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Tunizianët zhvilluan një marsh me kërkesën për lirimin e të arrestuarve gjatë protestave që filluan muajin e kaluar në Tunizi për shkak të arsyeve socio-ekonomike. Në marshin e organizuar njëkohësisht me 8 vjetorin e atentatit ndaj Chokri Belaid, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Patriotike në Tunizi, krahas qindra tunizianëve morën pjesë edhe liderë të partive politike të majta dhe deputetë të pavarur. ( Yassine Gaidi - Anadolu Agency )
Në marshin e organizuar njëkohësisht me 8 vjetorin e atentatit ndaj Chokri Belaid, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Patriotike në Tunizi, krahas qindra tunizianëve morën pjesë edhe liderë të partive politike të majta dhe deputetë të pavarur.
Forcat e sigurisë në kuadër të masave të sigurisë intensive mbyllën kafenetë, restorantet dhe dyqanet në bulevardin 'Habib Burgiba' në qendër të kryeqytetit dhe rrugët drejt qendrës së kryeqytetit.
Gjatë marshit pati përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve.
Protestuesit krahas lirimit të të arrestuarve për shkak të protestave, bënë thirrje edhe për zbulimin e autorëve të atentatit të kryer ndaj Belaid më 6 shkurt 2013.
Me sloganet për punësim, liri, dinjitet, shpërbërjen e qeverisë dhe parlamentit, protestuesit refuzuan edhe praktikat e sigurisë që hapin dyert për rikthimin në vend të "shtetit policor" që shtyp liritë.
Sami al-Tahiri, zv.sekretari i përgjithshëm i Sindikatave të Përgjithshme të Punës në Tunizi (UGTT), në një deklaratë për AA tha se "Praktikat e kryera përpara protestës në bulevardin 'Habib Burgiba' janë të çuditshme. Protestuesit kanë ardhur të kërkojnë zbulimin se nga kush është vrarë Belaid 8 vite më parë".
Mbyllja e hyrjeve në bulevardin kryesor të kryeqytetit dhe masat intensive të sigurisë tregojnë përmasat e frikës që kanë pushtetarët tha Al-Tahiri i cili shtoi se "Kërkojmë lirimin pa kryerjen e asnjë procedure të atyre që kërkojnë të drejtat sociale, që nuk marrin pjesë në ndonjë akt sabotimi dhe që nuk dëmtojnë pronën".
Kryesisht UGTT, Unioni i Mbrojtjes për të Drejtat e Njeriut në Tunizi, Shoqata e Grave Demokratike të Tunizisë, Forumi për të Drejtat Sociale dhe Ekonomike të Tunizisë si dhe shumë institucione të tjera, organizata për të drejtat e njeriut dhe aktivistë kishin bërë thirrje për zhvillimin e protestës për lirimin e të arrestuarve gjatë protestave të mbajtura në vend.
Protestat në Tunizi
Në Tunizi janë mbajtur shumë protesta për arsye ekonomike ku dhe në median sociale janë paraqitur pamje që tregojnë se gjatë protestave janë dëmtuar ndërtesa publike, janë djegur automjete private dhe janë plaçkitur dyqane.
Pandemia e COVID-19 e cila ka rënduar kushtet socio-ekonomike në kuptimin global, kanë ndikuar thellë edhe ndaj kushteve të jetesës në Tunizi.
E privuar nga hyrja themelore e valutës së huaj dhe nga të ardhurat e turizmit i cili është burim i punësimit, Tunizia po lufton me probleme ekonomike si papunësia e lartë, kryesisht në mesin e të rinjve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e investimeve.
Ministria e Brendshme në një deklaratë më parë njoftoi se në protestat e mbajtura në muajin janar janë arrestuar 632 persona me akuzën për "rebelim".
Kryetari i Përgjithshëm i Unionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Tunizi (LTDH), Jamal Muslim, në një takim të mbajtur me Sindikatën e Gazetarëve në kryeqytetin Tunis kishte theksuar se për shkak të protestave që kanë filluar më 18 janar për arsye socio-ekonomike deri më sot janë arrestuar 1.680 persona, përfshirë edhe fëmijë.