Emre Aytekin
04 Mars 2022•Përditësim: 08 Mars 2022
Kina është e “shqetësuar” për zjarrin në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, i cili është termocentrali më i madh në Evropë gjatë luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Vinbin tha se ata po shikonin me shqetësim lajmet për zjarrin në termocentralin dhe u bëri thirrje palëve përkatëse të garantojnë sigurinë e objekteve bërthamore.
Zëdhënësi Vang përcolli informacionin se sipas informacionit të marrë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike nga autoritetet bërthamore në Ukrainë, nuk ka pasur dëmtime në pajisjet kryesore të centralit dhe niveli i rrezatimit nuk ka ndryshuar.
Duke thënë se monitorojnë nga afër zhvillimet në Ukrainë, Wang nënvizoi se Kina i kushton rëndësi të madhe sigurisë bërthamore.
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me qetësi dhe përmbajtje, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për të garantuar sigurinë e objekteve bërthamore", tha Wang.
Kaloi nën kontrollin e ushtrisë ruse
Bordi Mbikëqyrës Rregullator Bërthamor i Ukrainës njoftoi se gjatë luftimeve në vend, termocentrali bërthamor Zaporizhzhia, termocentrali më i madh në Evropë, kaloi nën kontrollin e ushtrisë ruse.
Në deklaratën e Bordit thuhet se zjarri që shpërtheu si pasojë e përleshjeve në sheshin e termocentralit ishte shuar dhe se personeli i uzinës vazhdoi punën e tij, megjithëse ishte nën kontrollin e ushtrisë ruse.
Në deklaratë bëhet e ditur se njësitë energjetike në termocentral kanë ruajtur integritetin e tyre dhe nuk është konstatuar asnjë ndryshim në situatën e rrezatimit.
Termocentrali më i madh bërthamor në Evropë
Termocentrali bërthamor Zaporizhzhia njihet si termocentrali më i madh bërthamor në Evropë dhe një nga 10 termocentralet më të mëdha bërthamore në botë.
Në ditët e para të luftës Rusi-Ukrainë, forcat ruse në veri të vendit morën kontrollin e termocentralit bërthamor të Çernobilit.
Ukraina, e cila ka 15 reaktorë bërthamorë aktivë në 4 objekte në vend, siguron rreth gjysmën e energjisë elektrike nga këto termocentrale.