Ali H. M.Abo Rezeg
26 Janar 2017•Përditësim: 26 Janar 2017
NINEVEH (AA) – Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka realizuar të enjten një sërë sulmesh ajrore, në shënjestër të të cilave ka qenë aeroporti ndërkombëtar në Mosul që mbahet nën kontroll të DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
“Avionët e koalicionit sulmuan kullat e kontrollit të cilat janë përdorur nga snajpëristët e DEASH-it të cilët nga aty sulmonin personelin ushtarak të Irakut”, deklaroi për AA koloneli i ushtrisë Ezzedine al-Andalusi.
Sipas tij, sulmet kanë rezultuar me neutralizimin e militantëve të vendosur në pikat të cilat kanë paraqitur objektiv të sulmeve. “Sulmet e tilla kanë luajtur një rol të rëndësishëm në pakësimin e kapaciteteve ushtarake të grupit terrorist”, shtoi më tej al-Andalusi.
Në një zhvillim të ndërlidhur, oficeri ushtarak Qasim al-Rubaie, deklaroi për Anadolu Agency se forcat irakiane aktualisht janë të angazhuara që të mundësojnë siguri në zonat e çliruara së fundmi në Mosulin lindor, ku kanë gjetur shumë raketa të sofistikuara.
“Militantët kanë dëmtuar etiketat e prodhuesit, kështu që origjina e raketave mbetet e paqartë”, tha al-Rubaie.
Irak, vriten dhjetëra militantë të DEASH-it
Nga sulmet e avionëve të koalicionit ndërkombëtar të ndërmarra në pjesën perëndimore të Mosulit dhe në konfliktet e ndodhura në pjesën lindore të çliruar të Mosulit në Irak njoftohet se janë vrarë 37 anëtarë të organizatës terroriste DEASH.
Kapiteni Abdusselam el-Xheburi në ushtrinë e Irakut në një deklaratë për AA-në ka theksuar se në sulmet ajrore të ndërmarra në pjesën perëndimore të Mosulit nga avionët e koalicionit ndaj objektivave të DEASH-it janë vrarë 28 terroristë si dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.
Ndërsa në anën tjetër komandanti i forcave kundër terrorizmit të ushtrisë irakiane, Kemal Sadi el-Hatuni është shprehur se militantët e DEASH-it duke përfituar nga kushtet e këqija të motit në Mosul kanë depërtuar në dy lagje të çliruara pranë bregut të lumit Tigris në lindje të Mosulit. Militantët pasi janë pozicionuar në dyqanet dhe shtëpitë kanë sulmuar civilët dhe kanë marrë disa prej tyre peng.
Hatuni ka pohuar më tej se pas ndërhyrjes së njësive të ushtrisë në konfliktet të cilat kanë zgjatur mbi 3 orë janë vrarë 9 terroristë, 1 prej tyre është ndaluar dhe 3 terroristë të tjerë janë larguar.