Lokman İlhan
29 Nëntor 2018•Përditësim: 29 Nëntor 2018
BOGOTA (AA) – Në mbarë Kolumbinë është zhvilluar grevë e përgjithshme e punonjësve të pakënaqur me gjendjen ekonomike dhe sistemin e taksave të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Greva u organizua nga sindikata e punës, kurse mitingje masive u mbajtën në afër 40 qytete kolumbiane, duke përfshirë Bogota, Medellin, Bucaramanga, Manizales, Cali, Cartagena, Neiva dhe Popayan.
Protestat u mbështetën gjithashtu dhe nga studentët të cilët ishin të pakënaqur me mënyrën e financimit të universiteteve dhe mitingjet u mbajtën pa incidente të mëdha.
Sindikata e Punonjësve të Arsimit të Kolumbisë (FECODE) gjithashtu mori pjesë në grevë, kurse anëtarët e saj organizuan një marsh proteste në qendër të kryeqytetit kolumbian, Bogota.
Incidente të vogla u regjistruan kur studentët filluan të hedhin gurë mbi stacionet e policisë, por me ndërhyrje të shpejtë të policisë u parandalua përshkallëzimi i trazirave në rrugë.
Trazira më të mëdha ndodhën në jug të Bogotës ku nxënësit u përleshën me forcat speciale të Kolumbisë.
Paralelisht, Dhoma e Ulët e Kolumbisë mori projekt-reformën financiare dhe të taksave, të cilat synojnë zgjidhjen e krizës së gjatë ekonomik në vend.
Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque, në rrjetet sociale tha se në këtë fazë nuk do të rishikohet tatimi i vlerës së shtuar, por se theksi do të jetë në krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e përfitimeve sociale.
Ai falënderoi policinë dhe demonstruesit për mbajtjen e protestave paqësore.