Zeynep Hilal Karyağdı Duran
18 Janar 2023•Përditësim: 19 Janar 2023
Kompania ajrore kombëtare e Arabisë Saudite "Saudi Arabian Airlines" ka njoftuar se ka përgatitur program të ri që siguron për udhëtarët e saj mundësinë që të vizitojnë vendin për 96 orë, përfshirë mundësinë për kryerjen e Umres, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i "Saudi Arabian Airlines", Abdullah Al-Shahrani në një deklaratë për faqen e lajmeve "Ahbar 24" të Arabisë Saudite ka thënë se së shpejti do të vendosin në zbatim praktikën "Bileta juaj, viza juaj".
Al-Shahrani tha se në kuadër të programit gjatë procesit për blerjen e biletës nga faqja e "Saudi Arabian Airlines", udhëtarët do të pyeten nëse kanë nevojë apo jo për vizë dhe në rast të miratimit, udhëtarët në vetëm 3 minuta do të mund të marrin vizën për vizitë 96 orë.
"Me këtë vizë udhëtarët mund të kryejnë Umren dhe të vizitojnë çdo pjesë të vendit", theksoi Al-Shahrani i cili shtoi se praktika "Bileta juaj, viza juaj" nuk do të jetë e kufizuar vetëm me aeroportin e Xhedës por do të përfshijë të gjitha aeroportet ndërkombëtare të vendit.
"Ishte e nevojshme fillimi i një praktike të tillë për muslimanët që duan të përdorin Arabinë Saudite dhe kryesisht qytetin Xheda si pikë tranziti për Umren", deklaroi Al-Shahrani duke mos dhënë informacion të saktë se kur do të vendoset praktika në zbatim.
Ai tha se praktika do të rrisë kërkesën për Arabinë Saudite në udhëtimet ndërkombëtare. Al-Shahrani shtoi se kompania është përgatitur që të rrisë 40 për qind fluturimet e saj ndërkombëtare këtë vit.