Muhammed Bilal Kenasari
05 Prill 2016•Përditësim: 05 Prill 2016
WASHINGTON (AA) – Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij rus Sergey Lavrov në lidhje me tensionet në ditët e fundit në linjën e frontit Armeni-Azerbejxhan, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Departamentit të shtetit Mark Toner në një konferencë të përditshme për media ka theksuar se Kerry ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus Lavrov në lidhje me tensionet që ndodhën në ditët e fundit në linjën e frontit Armeni-Azerbejxhan.
"Në bisedën mes dy ministrave është vënë në dukje se duhet të përfundojnë sa më parë konfliktet e dhunshme në rajonin e Karabakut Malor. Ata i kanë bërë thirrje Armenisë dhe Azerbejxhanit që të bisedojnë sërish me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë", është shprehur Toner.
Ai pas një pyetjeje tha se Kerry ende nuk ka biseduar me homologët e tij nga Azberbejxhani dhe Armenia.
Toner vuri në dukje se si pasojë e konflikteve kanë humbur jetën shumë persona, përfshirë edhe civilë. "I bëjmë thirrje të dyja palëve që të përfundojnë sa më parë përdorimin e dhunës dhe të parandalojnë tensionet e mundshme që mund të lindin më pas", deklaroi ai.