Muhammed Ali Akman
14 Nëntor 2017•Përditësim: 14 Nëntor 2017
BEJRUT (AA) - Kryeministri në dorëheqje i Libanit, Saad Hariri, njoftoi se brenda dy ditësh do të kthehet në vendin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
"Unë jam shumë mirë. Me lejen e Zotit, do të kthehem brenda dy ditësh. Të jemi të qetë. Familja ime do të qëndrojë në Arabinë Saudite", ka shkruar Hariri në Twitter, i cili ndodhet në Rijad të Arabisë Saudite.
Në një reportazh speciale në Rijad më 12 nëntor për kanalin e tij Mustakbel, është shprehur se dorëheqjen e ka dhënë për hirë të interesave të Libanit.
"Pas një kohe të shkurtër do të kthehem në Liban dhe do t'i përmbush nevojat kushtetuese për dorëheqjen time", ishte shprehur ai.
Ndryshe, kryeministri libanez, Saad Hariri, më 4 nëntor shpalli dorëheqjen e tij teksa gjendej në kryeqytetin saudit, Rijad.
Dorëheqja e Haririt, e cila ende nuk është miratuar nga presidenti libanez, Michel Aoun, erdhi mes tensioneve midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Aoun tha se nuk do të pranonte dorëheqjen e Haririt derisa të kthehej në Liban për të shpjeguar qëndrimin e tij.
Në adresimin e tij të dorëheqjes, Hariri kritikoi Iranin dhe Hezbollahun, duke i akuzuar ata për nxitje të "kryengritjes" në rajon dhe për ndërhyrje në çështjet arabe, madje duke shtuar se është i shqetësuar se ndaj tij mund të bëhet atentat.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, ka thënë se nuk ka "arsye" për Haririn të japë dorëheqje, duke e akuzuar Arabinë Saudite se e mban atë kundër vullnetit të tij dhe e ka detyruar atë të japë dorëheqje.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka hedhur poshtë pretendimet se Rijadi e ka detyruar Haririn të japë dorëheqje, duke thënë se këto janë "gënjeshtra" të shpërndara nga Hezbollahu dhe aleatët e tij.
Hariri u emërua kryeministër libanez në fund të vitit të kaluar. Para dorëheqjes së të shtunës, ai kishte udhëhequr një kabinet qeveritar prej 30 anëtarësh që përfshinte edhe dy ministra të Hezbollahut.