Fatjon Cuka
11 Prill 2022•Përditësim: 12 Prill 2022
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë zyrtare në Gjermani, ndërkohë është takuar me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kancelarin Olaf Scholz dhe zyrtarë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA)
Pas ceremonisë së pritjes dhe pas përfundimit të takimeve, Rama dhe Scholz mbajtën një konferencë të përbashkët për media, duke u fokusuar në perspektivën evropiane të Shqipërisë, marrëdhëniet mes dy vendeve, luftën Rusi-Ukrainë, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.
Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë “absolutisht të shkëlqyera”. Duke folur për nismën "Ballkani i Hapur", Rama tha se nuk është asgjë tjetër, përveçse një përpjekje për ta jetësuar procesin e Berlinit.
“Për ne procesi i integrimit evropian nuk është një proces për të shkuar në Evropë, por për të ndërtuar një Shqipëri me standardet e Bashkimit Evropian, në funksion të të ardhmes dhe këtë nuk ia detyrojmë Berlinit, nuk ia detyrojmë Parisit, nuk ia detyrojmë Brukselit, ia detyrojmë fëmijëve tanë”, tha Rama.
I pyetur në lidhje me ndikimin e Rusisë dhe Kinës, Rama tha se "Sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem për më tepër në kushtet e sotme. Ndërkohë që Kina është një vend i cili ka synimin e vet të deklaruar. Ka dhe një format special të Kinës të quajtur formati 17+1 me gjitha vendet ish-komuniste që është një projekt investimesh. Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme as me njërën as me tjetrën. Me vendet e gjirit, ne kemi një marrëdhënie miqësore prej shumë e shumë vitesh".
Ndërkohë në lidhje me Turqinë, kryeministri Rama tha se, "Turqia nuk është një aktor i tretë. Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvul shumë e rëndësishme sigurie për gjithë Evropën".
Në lidhje me luftën në Ukrainë Rama tha se, "Ne i dënojmë njëzëri krimet mizore që po kryhen atje dhe njëzëri kërkojmë një armëpushim sa më të shpejtë dhe negociata sa më të vërteta për të çuar në përfundimin e këtij kalvari që po shkatërron jetën e miliona njerëzve dhe që po rrafshon qytete të tëra".
"Për Gjermaninë Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike"
Kancelari gjerman tha se për Gjermaninë Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike sipas tij, si pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes evropiane.
"Në këtë takim të parë, ne u thelluam në një sërë temash, marrëdhëniet e ngushta mes vendeve tona, për procesin e afrimit me Bashkimin Evropian për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht edhe për koordinimin e qasjes sonë, përballë luftës agresive ruse kundër Ukrainës. Agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na bën të qartë dhe në mënyrë të dhimbshme parasysh që arritjet evropiane të dekadave të fundit nuk janë më diçka e vetëkuptueshme", tha Scholz.
Kancelari gjerman shtoi se marrëdhëniet bilaterale me Shqipërinë “janë të shkëlqyera”, duke shtuar se prej 35 vitesh, qeveria federale bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë për marrëdhënie të ngushta ekonomike e për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.