Mohamed Sabry Emam Muhammed
14 Gusht 2017•Përditësim: 15 Gusht 2017
BAGDAD (AA) – Meshaal al-Salami, kryetari i Parlamentit Arab dhe shtetas saudit, ka arritur në kryeqytetin irakian, Bagdad, për bisedime me zyrtarët irakianë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Irakut, bisedimet pritet të përqendrohen në luftën në vazhdim kundër organizatës terroriste DEASH.
Një burim nga Ministria e Jashtme e Irakut për AA bëri të ditur se diskutimet në Bagdad gjithashtu pritet të trajtojnë bashkëpunimin ndër-arab, veçanërisht atë mes shteteve të Gjirit Arab dhe Irakut.
“Qeveria e Irakut është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha palët me qëllim të përforcimit të sigurisë, koordinimit politik dhe ekonomik me shtetet e Gjirit”, theksoi burimi, i cili preferoi të mbetet anonim për shkak të kufizimeve për të folur për mediat.
Disa zyrtarë nga shtetet arabe të Gjirit vazhdimisht kanë vizituar Irakun në mes të ngrohjes graduale të lidhjeve pas tensioneve disavjeçare.
Të lidhur me Ligën Arabe, 88 anëtarët e Parlamentit Arab janë zgjedhur nga asambletë kombëtare të 22 shteteve anëtare të ligës, selia e së cilës gjendet në Kajro.
Në viti 2010, Turqisë zyrtarisht iu dha statusi i vëzhguesit të Parlamentit pan-arab, i cili ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm simbolik që nga themelimi i tij në vitin 2005.