Ercan Canbolat
17 Dhjetor 2017•Përditësim: 18 Dhjetor 2017
WASHINGTON (AA) – Pas një sërë iniciativash të Republikës së Turqisë, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) do të shqyrtojë projekt-rezolutën e cila parashikon që ligjërisht të shpallet jovalid vendimi i SHBA-së për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, e cila është në kundërshtim me vendimet ekzistuese të OKB-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Një burim i paidentifikuar nga Ministria turke e Punëve të Jashtme thekson se pritet që tema e sipërmendur në axhendën e Këshillit të Sigurimit të shqyrtohet nesër.
Projekt-rezolutën do ta dorëzojë Egjipti si anëtar i Këshillit të Sigurimit, kurse propozimi është vepër e Palestinës. Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan Turqia, e cila zhvillon diplomaci aktive për të kundërshtuar vendimin e SHBA-së për Kudsin.
Teksti i draftit kujton vendimet e mëparshme të OKB-së për statusin e Kudsit dhe kërkon që ky status të mos ndryshojë me vendime të njëanshme, por vetëm si rezultat i negociatave në mes të Palestinës dhe Izraelit.
Më tej thuhet se ligjërisht janë të pavlefshme dhe se duhet të anulohen të gjitha vendimet e njëanshme të cilat cenojnë statusin dhe fotografinë demografike të Kudsit.
Drafti gjithashtu, përmban thirrjen që vendet e bashkësisë ndërkombëtare të mos zhvendosin ambasadat nga Tel Avivi në Kuds.
Duke patur parasysh se SHBA janë anëtar i përhershëm i KS, gjasat janë të mëdha për veto kundër miratimit të rezolutës për pengimin e vendimit të Washingtonit rreth Kudsit. Në këtë rast, kjo çështje mund të përcillet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku për miratim nevojiten shumica e dy të tretave.