Büşra Nur Bilgiç Çakmak
19 Gusht 2020•Përditësim: 19 Gusht 2020
Me thirrjen e Francës dhe Nigerit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot do të zhvillojë takim me dyer të mbyllura për situatën në Mali pas grushti shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian po ashtu shprehu shqetësim për zhvillimet në vendin afrikan.
"Franca është e shqetësuar kur mësoi për rebelimin që filloi sot në Kati, Mali. Dënon plotësisht këtë incident të rëndë", tha Le Drian në një deklaratë të martën.
Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keïta dha dorëheqje pasi u arrestua nga ushtarët të martën. Kryeministri Boubou Cisse u arrestua gjithashtu me të.
Tensionet në Mali shpërthyen në vitin 2012 pas një grushti të dështuar të shtetit dhe një rebelimi nga separatistët Tuareg që përfundimisht lejuan grupet militante të lidhura me Al-Kaedën të merrnin gjysmën veriore të vendit.
Keita, 75-vjeçar, erdhi në pushtet në vitin 2013, por është kritikuar nga njerëz që thonë se ai nuk ka arritur t’i mbrojë ata nga sulmet terroriste kryesisht në pjesën veriore dhe qendrore të vendit.
Mali, një nga vendet më të varfra në botë, vuan nga prania e disa grupeve terroriste, krahas paqeruajtësve francezë, malianë dhe të OKB-së, të cilët kryejnë operacione kundër terrorizmit.
Marrëveshja e paqes e vitit 2015 midis qeverisë maliane dhe grupeve rebele Tuareg nuk mund të zbatohej.