Hakan Ceyhan Aydoğan
13 Prill 2017•Përditësim: 13 Prill 2017
MOSKË (AA) – Do të vazhdojmë bashkëpunimin me SHBA-të në Siri dhe jemi të gatshëm të kthejmë marrëveshjen e pezulluar mbi sigurinë e ajrore, deklaroi mbrëm vonë në Moskë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, pas takimit me homologun e tij të SHBA-së, Rex Tillerson, raporton Anadolu Agency (AA).
Lavrov ka folur në një konferencë për shtyp në Moskë, pas takimit me sekretarin Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, dhe theksoi se gjatë takimit kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe si edhe çështjet globale.
"Ka shumë probleme që kanë mbetur nga administrata e kaluar e SHBA-ve. Nevojiten përpjekje për zgjidhjen e tyre. Në rastin se nga SHBA-të bëhet një hap, ne kemi njoftuar se jemi të gatshëm për këtë. Shohim se ka përpjekje për prishjen e bashkëpunimit tonë. Megjithatë, historia ka treguar se, kur mes dy shtetesh është bashkëpunimi i mirë, e gjithë bota mund të përfitojnë nga kjo", ka thënë Lavrov.
Ministri rus ka theksuar se vendi i tij, përkundër të gjitha problemeve aktuale me SHBA-të, është i gatshëm për bashkëpunim konstruktiv në çdo nivel. "Koha që kemi ndarë për diskutimet tona nuk ka kaluar kot, presim edhe nga SHBA-të të bëjnë hapa në këtë drejtim", ka thënë Lavrov.
Ai shtoi se është biseduar edhe në lidhje me sulmin me armë kimike në qytetin sirian Idlib, dhe theksoi se vendi i tij mbështet qëndrimin se sulmet me armë kimike duhet të hetohet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
"Askënd nuk duam të fajësojmë, dhe as të mbrojmë. Ne këmbëngulim në faktin se këto ngjarje duhet të hetohen në mënyrë objektive. Në këtë drejtim, ne konsiderojmë se projektrezoluta e KS-OKB që fajëson administratën e Damaskut nuk do të jetë efektive", ka thënë Lavrov.
Ai shtoi se Rusia do të parashtrojë një kërkesë në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe OKB për të zbatuar hetim të detajuar në Idlib dhe bazën Shayrat, nga kanë fluturuar aeroplanët. "Ne kemi vërejtur se edhe SHBA është e gatshme që të mbështesë këtë", tha ai.
Lavrov ka pretenduar se SHBA-të nuk kanë paraqitur prova të mjaftueshme në lidhje me Idlibin. I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i Rusisë në qoftë se provohet se Asad ka përdorur armë kimike, Lavrov tha: "Ne nuk merremi me supozime."
Megjithatë, shefi i diplomacisë ruse tha se vendi i tij do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-në, kur është fjala për Sirinë.
"Presidenti Putin ka thënë se kur të vërtetohet qëllimi i SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, ne jemi të gatshëm që të rikthejmë marrëveshjen për sigurinë ajrore. Lufta kundër DEASH-it dhe organizatave të tjera terroriste vazhdon të jetë qëllimi ynë i përbashkët", tha ministri i Jashtëm i Rusisë.
Tillerson në fjalën e tij iu referua sulmit me armë kimike në Idlib, dhe theksoi se sulmi në Idlib nuk është sulmi i vetëm i këtij lloji. "Sulmi i regjimit të Asadit gjatë javës së kaluar është i fundit nga një seri sulmesh të tilla. Para këtij sulmi janë kryer sulme me bomba klori dhe me armë të ndryshme kimike në 50 vende të ndryshme", tha Tillerson.
Për sa i përket situatës në Siri, Tillerson ka theksaur: "Të dy vendet (SHBA dhe Rusia) besojnë se Siria duhet të jetë si një vend i tërë dhe i qëndrueshëm. Nuk duam që ky vend të bëhet strehë e sigurt për terroristët që duan të sulmojnë vendet tona."
Tillerson gjithashtu theksoi se marrëdhëniet aktuale të SHBA-së dhe Rusisë janë në një nivel të ulët dhe se duhet të zhvillohen më tej. "Ka një problem serioz të besimit midis vendeve tona. Marrëdhëniet mes dy fuqive botërore bërthamore nuk duhet të jenë të tilla", tha sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.