Ekip
04 Shkurt 2021•Përditësim: 04 Shkurt 2021
Media të ndryshme libaneze raportuan sot për vdekjen e aktivistit të shquar politik Luqman Salim në qytetin Zahrani, në jug të këtij vendi, disa orë pas zhdukjes së tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Luqman Salim u gjet i vdekur në një makinë të marrë me qira në zonën e Zahranit, me trupin që mbante plagë të shkaktuara nga dy plumba", citoi media lokale forcat e sigurisë.
Salim, 58-vjeç, ishte një aktivist i shquar shiit, i njohur si një kritik i ashpër i grupit paraushtarak të Hezbollahut, i cili ka ndikim të madh në jug të Libanit.
Ai u zhduk të mërkurën në mbrëmje pas kthimit nga vizita e një shoku në Zahrani.
Lajmin për zhdukjen e tij e ndau motra e tij, Rasha Salim në llogaritë e saj në rrjetet sociale.
"Vëllai im Luqman nuk i është përgjigjur telefonit të tij për më shumë se pesë orë. Ju lutem më ndihmoni të gjej vendndodhjen e tij", postoi Rasha Salim në Facebook.
Lëvizja e Ardhmërisë e udhëhequr nga ish-kryeministri Saad Hariri dënoi vrasjen e Luqman Salim duke paralajmëruar për rreziqet e "kthimit në seritë e vrasjeve që synojnë aktivistët".