Hakan Çopur
26 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
WASHINGTON (AA) - Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka miratuar me unanimitet paketën e re të sanksioneve ndaj personave dhe qeverive që mbështesin financiarisht dhe ushtarakisht Hezbollahun e mbështetur nga Irani, raporton Anadolu Agency (AA).
Paketa e sanksioneve ka përfshirë tre projektligje të veçanta, të cilat kanë marrë mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve të pranishëm në seancë.
Projektligji 3329 ka hapur rrugën për përfshirjen në listën e sanksioneve qeveritë dhe personat që mbështesin financiarisht dhe ushtarakisht Hezbollahun. Projektligji 3342 ka dënuar përdorimin e civilëve nga Hezbollahu si "mburojë e gjallë" në disa rajone.
Ndërkaq, përmes projektligjit 359 i bëhet thirrje Bashkimit Evropian (BE) që Hezbollahu të njihet si organizatë terroriste.
Në këtë mënyrë, Dhoma e Përfaqësuesve pas afër gjashtë muajve miraton sanksione që drejtpërdrejt synojnë Hezbollahun dhe në mënyrë të tërthortë Iranin.
Ndërkaq, pritet që nesër në Dhomën e Përfaqësuesve të miratohet një projektligj tjetër lidhur me programin balistik të Iranit.
Theksohet se projektligji në fjalë do të miratohet me lehtësi në Senat dhe do të ligjësohet me firmosjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Ndryshe, presidenti amerikan Trump, në shpalosjen e strategjisë së re ndaj Iranit më 13 tetor, theksoi se kanë marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit.
"Zbatimin e strategjisë sonë po e fillojmë duke sjellë sanksione të rrepta ndaj Gardës Revolucionare të Iranit, si një hap i vonuar. Autorizoj Departamentin e Thesarit për sjelljen e sanksioneve edhe më të avancuara për tërë Gardën Revolucionare", ishte shprehur Trump.
Trump, i cili ka thënë se tani për tani nuk do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, i ka dhënë Kongresit afat prej 60 ditësh për t'i shqyrtuar kushtet dhe respektueshmërinë e marrëveshjes. Ai ka potencuar pas skadimit të këtij afati do të shohin nëse do të ketë dakordim.
"Nëse nuk arrijmë në një zgjidhje me Kongresin dhe aleatët tanë, atëherë marrëveshja do të anulohet", ka thënë Trump.