Ekip
05 Gusht 2020•Përditësim: 05 Gusht 2020
Ministri i Çështjeve Publike dhe Transportit i Libanit, Michael Najjar, ka bërë të ditur se shpërthimi në Portin e Bejrutit ka shkaktuar dëme masive dhe ka shkatërruar shumicën e objekteve dhe depove të portit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për kanalin lokal libanez "LBC", Najjar tha se autoritetet libaneze kanë filluar të vendosin plane alternative për portin e Bejrutit, i cili do të marrë kohë për t'u rindërtuar.
"Ne do të varemi nga porti i Tripolit në veri të Libanit, pasi aktualisht jemi duke vlerësuar kapacitetin e tij së bashku me portet në Sidon dhe Tyre", tha Najjar.
Një zjarr në një depo që përmbante eksploziv në Portin e Bejrutit çoi në shpërthimin masiv që shkatërroi një ndërtesë tre-katëshe dhe u dëgjua në të gjithë kryeqytetin dhe periferitë e tij.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettaneh, në një deklaratë për televizionin LBC të Libanit, tha se nga shpërthimi në Portin e Bejrutit kanë humbur jetën të paktën 100 persona, ndërsa janë plagosur mbi 4.000 të tjerë.
Ai tha se ende gjenden persona nën rrënoja, duke shtuar se kapaciteti i spitaleve në Bejrut është mbushur.
Kryeministri Hassan Diab për shkak të shpërthimit ditën e mërkurë e shpalli "ditë zie kombëtare".