Jeyhun Aliyev
15 korrik 2020•Përditësim: 15 korrik 2020
Ushtria libiane njoftoi sot se gjithsej 225 trupa janë zbuluar nga varret masive në jug të kryeqytetit Tripoli, në qytetin Tarhuna dhe zonat përreth tij për 40 ditë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kufomat u gjetën në zonat e çliruara nga milicitë e liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, sipas një deklarate nga zyra e shtypit të operacionit të udhëhequr nga qeveria Vullkani i Tërbimit.
Në deklaratën thuhet se që nga çlirimi i Tarhunas nga milicitë e Haftarit, një agjenci ndërmori masat e nevojshme për të gjetur varret masive dhe për të zbuluar kufomat.
Në fillim të korrikut, zyra e shtypit raportoi se numri i trupave të gjetur midis 5 qershorit dhe 28 qershorit arriti në 208.
Më 5 qershor, ushtria libiane çliroi Tarhuna, e cila përdorej si qendër operacioni dhe furnizimi nga milicitë besnikë të Haftarit.
Qindra kufoma u gjetën në spitalin e qytetit, një kontenier që i përkiste spitalit dhe një pus uji afër qytetit.
Pjesa më tragjike në Tarhuna doli në dritë kur u gërmuan varret masive si pjesë e hetimeve të hapura nga qeveria libiane.
Që nga prilli i vitit 2019, forcat e paligjshme të Haftarit nisën sulme mbi kryeqytetin Tripoli dhe pjesët tjera të Libisë veriperëndimore, duke rezultuar në më shumë se 1.000 vdekje, përfshirë gra dhe fëmijë.