Erdoğan Çağatay Zontur
11 Prill 2019•Përditësim: 11 Prill 2019
Qeveria e Libisë me seli në Tripoli njoftoi të enjten se ka rimarrë kontrollin e kampit ushtarak Yarmuk nga forcat e komandantit Khalifa Haftar. Burimi ushtarak, i cili kërkoi të mbetet anonim, për Anadolu Agency (AA) ka thënë së operacionet janë mbështetur edhe nga forcat e Frontit Al-Sumund.
Forcat besnike të komandantit Khalifa Haftar të mërkurën njoftuan se kanë marrë kampin ushtarak të forcave të qeverisë, e cila ka mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Kampi ushtarak Yarmuk ndodhet në zonën Ain Zare, në jug të Tripolit, ku po zhvillohen luftime të ashpra në mes të forcave të Haftar dhe forcave qeveritare.
Libia është zhytur në një krizë e thellë politike dhe e sigurisë që nga viti 2011 pas vrasjes së Muamar Gadafit. Që atëherë, në pushtet janë qeveritë paralele me seli në Tripoli dhe Tobruk, me parlamente të ndara dhe forca të armatosura.
Në fund të vitit 2015, përfaqësuesit e qeverive paralele libiane nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara nënshkruan një marrëveshje për themelimin e Qeverisë së Konsensusit Kombëtar.
Plani ishte që qeveria të marrë pushtetin në vend dhe të shpallë zgjedhjet parlamentare brenda 12 muajve. Për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, kjo nuk është zbatuar plotësisht deri më tani, kështu që Libia është ende larg të arrijë stabilitetin dhe sigurinë politike.